Dënohet me 300 euro gjobë për korrupsion prorektori i Universitetit të Gjakovës

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 300 euro gjobë prorektorin e Universitetit të Gjakovës, Lulzim Zenelin, i cili ngarkohet se nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, që ndaj Zenelit të shqiptohet urdhri ndëshkimor, përkatësisht dënimi me gjobë, ashtu që gjykata ka nxjerrë aktgjykim pa u mbajtur shqyrtimi gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetim të aktgjykimit thuhet se provat që i janë bashkëngjitur propozimit për dhënien e urdhrit ndëshkimor janë prova bindëse se ekziston dyshimi i bazuar mirë që i akuzuari e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Gjykata ka gjetur se me rastin e shqyrtimit paraprak të këtij rasti konform nenit 495 të Kodit të Procedurës Penale ka gjetur se janë plotësuar kushtet nga dispozita e nenit 493 të po këtij kodi dhe pa mbajtur shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit ka shqiptuar urdhrin ndëshkimor.

Këtë aktgjykim i akuzuari mund ta kundërshtojë në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së të njëjtit.

Në aktkakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Lulzim Zeneli, duke qenë në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, përkatësisht prorektor në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë në përiudhën nga data 1 mars deri më 19 qershor 2020.

Tutje sipas aktakuzës, i njëjti duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në afatin e paraparë ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin paraprak nga 1 janar 2019- 31 dhjetor 2019, edhe pse ka qenë i informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Vepra penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, është vepër e cila hyn në kuadër të kapitullit “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë