Dënohet me 300 euro gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje pylli në Istog

Istog
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shkurt 11, 2020

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka dënuar me 300 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje të pyllit, Xhevat Demiraj.

Gjykatësi Gani Rugova tha se të pandehurit Demiraj, pagesa e gjobës prej 300 euro do t’i mundësohet që ta paguajë në formën prej tri këstesh.

Njëkohësisht, i akuzuari Demiraj është obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale, në shumën totale prej 50 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Gani Rugova, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohej.

“Drutë i kam pas për nevojat e mia personale, ngase nuk e kam gjendjen e mirë ekonomike.”, ka thënë i akuzuari.

Pas kësaj, prokurorja Suada Hamza, i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit Demiraj, pranimi i fajësisë t’i merret si rrethanë lehtësuese me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin e tij.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngritur më 30 dhjetor 2019, e ngarkon të akuzuarin Xhevat Demiraj, me veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 349 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet, se i pandehuri më 18 shtator 2019, në vendin e quajtur “Gollosten”, rajoni ekonomiko-pyjor “Mokna”, të Komunës së Istogut, me qëllim të vjedhjes ka prerë 16 copë trungje të llojit të “Ahut”,  me vëllim të përgjithshëm prej 4.80 metra kub.

Prokuroria pretendon se i pandehuri ditën kritike masën drunore e kishte përgatitur për transport, me ç’rast pas kësaj i pandehuri është kapur nga roja i pyllit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me veprimet e tij, ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 614 euro. /Betimipërdrejtësi