Dënohet me 3 muaj burgim efektiv dhe 500 euro gjobë i akuzuari për mashtrim

20191129_101439
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Nëntor 29, 2019

Drenas – Gjykata  Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me 3 muaj burgim efektiv dhe 500 euro gjobë, të akuzuarin për mashtrim, Valmir Veseli.

Aktgjykimi është shpallur pas shqyrtimit fillestar të mbajtur të premten, nga gjykatësi i rastit Shefqet Baleci, pasi paraprakisht i akuzuari Veseli ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Menduhi Kastrati, i cili ka propozuar që ky akt të merret si rrethane lehtësuese me rastin e matjes së dënimit.

Sipas aktakuzës, së ngritur me 23 tetor 2019, Veseli akuzohet se me 9 prill 2018, në fshatin Korreticë e Epërme të Komunës së Drenasit, saktësisht në pompën e derivateve “Sllovenia Petrol”, me qellim që vetes apo personit tjetër të i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, ka sjell në lajthim të dëmtuarin Leondrit Lekun.

Në aktakuzë thuhet se, derisa i dëmtuari ishte punëtor në pompën e derivateve “Sllovenia Petrol”, i pandehuri kishte shkuar me veturën e tij të tipit “Mercedes A class”, ngjyrë e zezë, me targa gjermane, dhe është furnizuar me 10 euro derivate naftë, ku i ka thënë punëtorit se “po dal e bëjë pagesën dhe po marr cigare”, me ç `rast posa e kishte larguar punëtori gypin e pompës nga vetura i pandehuri kishte vazhduar me shpejtësi në drejtim të Prishtinës, pa e bërë pagesën në vlerë prej 10 euro. /Betimipërdrejtësi