Dënohet me 250 euro gjobë dhe tre muaj burgim me kusht, akuzohet se vodhi biçikletën

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – I akuzuari Rabit Asllani, është dënuar me 250 euro gjobë si dhe tre muaj burgim me kusht, pasi në qershor të 2020-ës në Kamenicë, me dashje ka hyrë në banesën kolektive, dhe ka vjedhur një biçikletë të markës “Kost” në vlerë rreth 400 euro, pronë e të dëmtuarit Agim Dërmaku.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, nga gjykatësi Sadri Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I dëmtuari Agim Dërmaku për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Sipas gjykatësit Krasniqi, palët e pakënaqura mund të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 14 dhjetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Rabit Asllanit, me arsyetimin se ai në qershor të 2020-ës në Kamenicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër, me dashje ka hyrë në banesën kolektive dhe ka vjedhur një biçikletën të markës “Kost” në vlerë rreth 400 euro, pronë e të dëmtuarit Agim Dërmaku, duke i shkaktuar këtij të fundit dëm material.

Me këtë, Rabit Asllani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja”, nga neni 313 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë