Dënohet me 2,000 euro gjobë i akuzuari për kallëzim të rrejshëm në PSRK

Rasti Gazmend Kuqi- 31.07.2019
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Korrik 31, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka dënuar me dy mijë euro gjobë, të akuzuarin për lajmërim apo kallëzim të rremë, Gazmend Kuqi.

Aktgjykimin e ka shpallur gjykatësja e rastit Fatime Dermaku, pasi që i akuzuari në shqyrtimin fillestar e ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është obliguar të paguaj edhe shumën prej 20 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest civil, kurse pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Paraprakisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Musa Mehaj, i akuzuari është deklaruar fajtor për veprën penale që i vihet në barrë.

Ai ka shtuar se veprimet për paraqitjen e këtij lajmërimi të rrejshëm i ka marrë për shkak të stresit, si pasojë një borxhit që sipas tij i ka Komuna e Kaçanikut dhe Çlirimtarët e shoqatave, të dy së bashku.

“Lidhur me akuzën se unë kur e kom bo jam kon në presion, edhe pi presionit unë s’kom dit çka t’boj, për shkak të një borxhit pi Komunës Kaçanikut edhe Çlirimtarëve të shoqatave .Unë prej këtij rasti kom pas shumë pasoja, kom shku në spital psikiatrik jam kon i shtrirë, kom shitë shumë pasuni, mo s’kom dit çka me bo”, ka shtuar i akuzuari Kuqi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kuqi, avokati i angazhuar sipas detyrës zyrtare, Florin Luta nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij, pasi që sipas tij ky pranim është bërë në konsultim me të, si dhe i akuzuari e ka pranuar edhe në polici fajësinë.

Avokati Luta, ka kërkuar nga gjykata që pranimin e  të akuzuarit ta merr si rrethanë lehtësuese, si dhe faktin se ai është mbajtës i familjes, nuk ka qenë i dënuar më parë dhe se sipas tij, i akuzuari e ka kryer veprën penale në një gjendje të rëndë psiqike.

“Lusim gjykatën që pranimin e fajësisë ta merr si rrethanë lehtësuese , për faktin se është baba i tre fëmijëve dhe se mban familjen,  faktin që nuk ka qenë i dënuar më parë, gjendjen e tij shëndetësore e sidomos gjendjen e tij psikologjike për të cilën ekziston dokumentacion mjekësor. Siç shihet veprën penale e ka kryer në një gjendje psikologjike shumë të rënduar  për shkak të borxheve të cilat Komuna e Kaçanikut ia ka të akuzuari, dhe nuk ja ka paguar. I akuzuari me këto veprime ka menduar se do të mund ti sensibilizojë organet lidhur me këtë borxh dhe për këtë e pranon gabimin”, ka deklaruar avokati Luta.

Gjithashtu në këtë seancë është shqyrtuar kërkesa e p për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Kuqi, i cili gjendej në ndalim qysh nga 29 korriku 2019.

Prokurori Mehaj ka thënë se pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, i lë në dorë gjykatës të vendos zyrtarisht, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit si dhe i akuzuari e kanë kundërshtuar në tërësi këtë kërkesë.

Gjykatësja Dermaku deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që sipas saj paraburgimi është masë për sigurimin e të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gazmend Kuqi akuzohet të ketë kryer veprën penale “lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, nga neni 382 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Siç thuhet në aktin akuzues, i akuzuari më 15 korrik 2019, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe para hetuesve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka lajmëruar rrejshëm se e kanë rrëmbyer tre persona në Suharekë dhe e kanë dërguar në Shqipëri dhe se të njëjtit nën kërcënimin e armëve e kanë futur në një veturë të markës “Passat” me targa të Shqipërisë dhe përmes kufirit në Morinë e kanë dërguar në Shqipëri, duke deklaruar kështu me qëllim të ardhjes deri te një borxh që i ka Komuna e Kaçanikut. /Betimipërdrejtësi