Dënohet me 200 euro për lajmërim të rrejshëm në polici se dikush ia kishte vjedhur kuletën me mbi 11 mijë euro

IMG_6787
Author

Raporton: Denisa JASHARI

 

Korrik 21, 2021

Ferizaj- Është dënuar me 200 euro gjobë, Izet Avdiu, i cili akuzohet se kishte lajmëruar rrejshëm në polici se dikush ia kishte vjedhur kuletën me 11 mijë e 400 euro pasi kishte shitur shtatë krerë lopë në pazar.

Aktgjykimi dënues ndaj Avdiut është shpallur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj nga gjyqtari i çështjes, Imri Sejda.

Avdiu është ngarkuar me shpenzimet e procedurës dhe atë 20 euro paushall gjyqësor dhe 30 euro për kompenzimin e viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës, Izet Avdiu akuzohet se më 15 maj 2021 rreth orës 15:00 në stacionin policor në Ferizaj, kishte lajmëruar tek personi zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur se është kryer vepra penale, e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, edhe pse e kishte ditur se vepra nuk ishte kryer.

Në atë mënyrë që i pandehuri kishte lajmëruar kinse kishte qenë në tregun e kafshëve ku kishte shitur shtatë krerë lopë një personi në vlerë prej 11,400 euro, nga aty kishte shkuar në rrugën  “Enver Topalli” në Ferizaj, i njëjti me të arritur tek “Viva Fresh Store” kishte vërejtur se persona të panjohur i kishin marrë kuletën së bashku me paratë.

Me këtë ka kryer veprën penale Lajmërimi apo kallëzimi i rremë nga neni 382 paragrafi 4 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi