Dënohet me 200 euro gjobë me kusht i akuzuari për vjedhje të rrymës

203 (1)
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Prill 30, 2021

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, e ka dënuar me 200 euro gjobë me kusht të akuzuarin për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, Naim Arifi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Drane Simani, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Arifi, nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është obliguar edhe në shpenzimet procedurale dhe atë, shumën prej 20 euro në emër të shpenzimeve gjyqësore.

Pala e pakënaqur ndaj vendimit, sipas gjykatëses Simani, ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 29 prill 2021.

Ndryshe, prokurori Borovci ka bërë rikualifikimin e veprës penale me Kodin e ri  Penal, ku tashmë i akuzuari ngarkohet me veprën penale “vjedhje e shërbimeve” nga neni 314, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 12 korrik 2017, Naim Arifi akuzohet se me 3 qershor 2017, në kohë të pacaktuar dhe në vazhdimësi, në shtëpinë e tij në fshatin Mogillë, si konsumator i energjisë elektrike, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror për vete, ka përfituar nga shërbimet komunale, në atë mënyrë që pa autorizim ka bërë ndryshimin e njehsorit elektrik, ashtu që nga Komisioni i Qendrës së Kalibrimit në Prishtinë është konstatuar se në brendi të njehsorit, sistemi i fazës së tretë L3 është i eliminuar dhe si pasojë e kësaj njehsori elektrik ka regjistruar energji elektrike për 33.33 % më pak. Aty thuhet se me këtë veprim, disku i njësorit elektrik është penguar që të bëjë regjistrimin e saktë të shpenzimeve të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Divizioni në Gjilan i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 156.69 euro. /BetimipërDrejtësi