Dënohet me 200 euro gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë se kishte blerë një telefon të vjedhur

20190514_093841
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Maj 14, 2019

Drenas – Gjykata Themelore në Prishtinës, dega në Drenas, i ka shqiptuar dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej një muaji, Besnik Morinës, i akuzuar për “blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Por, me pëlqimin e të pandehurit, dënimi me burg i është konvertuar në dënim me gjobë, në lartësi prej 200 euro.

Gjykatësi i rastit Shefqet Baleci, tha se i akuzuari Morina, po ashtu ngarkohet me paushallin gjyqësor në shumë prej 40 euro, si dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.

Gjatë seancës fillestare të së martës, i akuzuari e ka pranuar fajësinë, duke deklaruar se nuk e ka ditur se telefonin që e ka blerë ka qenë i vjedhur.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokuroi Menduhi Kastrati, duke propozuar që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 27 mars 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Besnik Morina, nën akuzën se ka kryer veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës  penale”, nga neni 345 parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në muajin gusht të vitit 2018, në Drenas, edhe pse ka mundur të dijë se sendi është i përfituar si rezultat i veprës penale, nga një person i panjohur për të, e ka blerë një telefon të tipit “Samsung Galaxy J3”, në vlerë prej 170 euro, pronë e të dëmtuarës Fazile Haziri. /Betimipërdrejtësi