Dënohet me 2 mijë e 400 euro gjobë i akuzuari se me shkop druri rrahu të miturit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore

Raporton: Genta PAJAZITI

VitiI akuzuari B.Z. është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 mijë e 400 euro gjobë, pasi pranoi fajësinë se në dhjetor të 2021-ës, me shkop druri ka rrahur të miturit G.H, dhe M.A.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të hënën, nga gjykatësi B.Z, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, ndaj të akuzuarit B.Z, u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, mirëpo me pëlqimin e të akuzuarit ky dënim u zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë e 400 euro.

Dënimin e shqiptuar më gjobë, i akuzuari obligohet ta paguajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në rast se i akuzuari nuk mund të paguajë dënimi me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur për një ditë burgimi shuma prej 20 euro.

Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 30 euro.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura në afat prej 15 ditësh kanë të drejtë ankese.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 20 dhjetor 2021, ka ngritur aktakuzë kundër B.Z, me arsyetimin se më 29 tetor 10.2021, rreth orës 23:27 në rrugën “Idriz Seferi” në Viti, i pandehuri në  bashkëveprim me te miturin E.Rr, pas një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin G.H, dhe M.A, fillimisht i mituri E.Rr, e sulmon të dëmtuarin G.H, me grushte në fytyrë e më pas edhe i pandehuri B.Z. e sulmon të dëmtuarin G.H, dhe të dëmtuarin M.A, duke i goditur me grushte në pjesë të ndryshme te trupit.

Në aktakuze thuhet se më pas i pandehuri B.Z, shkon dhe e merr një shkop druri (mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore) nga vetura dhe e sulmon dhe e godet tri here në pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin G.Z, ku edhe i dëmtuari E.A, nga frika duke ikur rrëzohet në tokë, me ç’rast të dëmtuarve iu shkakton lëndime të lehta trupore, të cilët detyrohen të kërkojnë      ndihmë  mjekësore në shtëpinë e shëndetit në Viti.

Me këto veprime,  i pandehuri, akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafin 1.4 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë