Dënohet me 1,700 euro gjobë i akuzuari për vjedhjen e dy telefonave

62409104_2349384778676614_4038561897367207936_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Qershor 7, 2019

Gjilan – Gjykata Themelroe në Gjilan, të premten, e ka dënuar me 1,700 euro gjobë, të akuzuarin për vjedhje, Arben Demiri.

Fillimisht, ai u dënua me 3 muaj burgim efektiv dhe 300 euro gjobë, mirëpo me pëlqimin e mbrojtësit të tij sipas detyrës zyrtare, avokatit Ramadan Leka dhe vet të akuzuarit, dënimi me burg iu shndërrua në dënim me gjobë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Veli Kryeziu, tre muaj burg efektiv zëvendësohen me 1,400 euro gjobë, e që në total i bie se dënimi ndaj të akuzuarit arrin shumën prej 1,700 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Kryeziu gjithashtu bëri të ditur se e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, që të akuzuarin ta dëboj nga territori i Republikës së Kosovës, ndërsa për ndërprerjen e paraburgimit ndaj tij, gjykatësi u tha se palët do t’i njoftoj me shkrim.

Aktgjykimi ndaj Demirit u shpall, pasi ai paraprakisht pranoi fajësinë në shqyrtim fillestar.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Leonora Shemsiu-Kadriu, në seancën e së premtes, i akuzuari Demiri e pranoi fajësinë, duke thënë se i vie keq për kryerjen e veprës penale, si dhe premtoi që më nuk do të përsërisë veprime të tilla, duke kërkuar nga gjykata që atij t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Shemsiu-Kadriu, duke thënë se prokuroria mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe se kërkon nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit, ku me rastin e shqiptimit të dënimit ta urdhëroj të pandehurin që t’i kompensoj të dëmtuarit.

“Gjithashtu, kërkoj nga gjykata që të akuzuarit t’i shqiptoj dënim plotësues, dëbimin e të huajve nga territori i Republikës së Kosovës”, deklaroi prokurorja Shemsiu-kadriu.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Leka kërkoi nga gjykata që me rastin e shpalljes së aktgjykimit ndaj klientit të tij, t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe atij t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Kurse sa i përket propozimit të prokurores për dëbim, avokati Leka e kundërshtoi atë.

“Kundërshtoj propozimin e prokurores për dëbimin e tij si shtetas i huaj, nga arsyeja se i njëjti qenka i martuar me një grua nga Gjilani”, tha avokati Leka.

Në lidhje me këtë, pranimin e fajësisë e ka aprovuar gjykatësi Kryeziu, duke shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Demiri.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 21 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Arben Demirit, me arsyetimin se i njëjti më 5 maj 2019, rreth orës 11:00, në Gjilan, saktësisht në lokalin “Alien Game”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë për vete apo për tjetrin, ka kryer vjedhje, në dëm të dëmtuarit Jon Sahiti.

Bazuar në aktakuzë, këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke e mashtruar të dëmtuarin, t’i jep telefonin kinse për të bërë një thirrje telefonike, largohet nga lokali, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në shumë prej 300 euro.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se i akuzuari më 5 maj 2019, rreth orës 15:00, në Gjilan, saktësisht në lokalin e telefonave “Mobishop Bina”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, ka kryer vjedhje në dëm të dëmtuarit Shqipton Hyseni, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar mungesën e pronarit të lokalit, merr telefonin e markës “Iphone VII”, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë prej 500 eurosh.

Me këto veprime, Arben Demiri akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja”, nga neni 313, paragrafi 1, lidhur me nenin 77 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi