Dënohet me 150 euro gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për lëndim të lehtë trupor

IM 5 (2)
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Qershor 11, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 150 euro gjobë të akuzuarin për lëndim të lehtë trupor, Lorik Gjikolli.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të martën nga gjykatësi Avni Syla, pasi i akuzuari Gjikolli në shqyrtim fillestar të mbajtur më 10 qershor e ka pranuar fajësinë për këtë vepër.

I akuzuari Gjikolli është obliguar të paguajë shumën prej 20 euro në emër të ekspertizës mjekoligjore.

Po ashtu, gjykata ka obliguar të akuzuarin që të paguajë edhe 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në llogari të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Gjykatësi Syla ka njoftuar se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Pala e dëmtuar, Besart Misini, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 tetor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Lorik Gjikolli në drejtim të kryerjes së veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 par.1, nën par. 1,4 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 13 dhjetor 2016, rreth orës 13:30, në rrugën “Hasan Prishtina”, Obiliq, konkretisht në barnatoren “Shëndeti”, pas një mosmarrëveshjeje të atëçastshme, që i akuzuari Lorik Gjikolli kishte pasur me të dëmtuarin Besart Misini, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore e kishte sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte në fytyrë.

Gjithnjë sipas akuzës, pas goditjeve të dëmtuarit i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin. /Betimipërdrejtësi