Dënohet me 130 euro gjobë i akuzuari për vjedhje pylli

Foto, Gjykata Podujeve, 6
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Gusht 8, 2019

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, e ka dënuar me 130 euro gjobë, të akuzuarin për vjedhje pylli, Sabri Fazliu.

Sipas aktgjykimit me urdhër ndëshkimor, gjobën i akuzuari është obliguar ta paguajë pasi që vendimi të bëhet i formës së prerë.

Nëse dënimi me gjobë, nuk paguhet në afatin e paraparë me ligj, i njëjti do të shndërrohet në dënim me burg, duke u llogaritur 20 euro për një ditë.

I akuzuari Fazliu, është ngarkuar edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro të tjera,  në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Ndërsa, Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Podujevë, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko civil, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 qershor 2019, Sabri Fazliu akuzohet se me 6 shkurt 2019, rreth orës 13:00, me qëllim të vjedhjes në pyllin shoqëror, me të cilin qeverisë Regjioni Ekonomiko-Pyjor i Tërrnavicës, në Podujevë, në vendin e quajtur “Brecë”, i pandehuri me motosharrë ka prerë pesë trungje të llojit “ahu”, me gjatësi prej 16 metrash, me ç’rast Regjionit Ekonomiko-Pyjor i kishte shkaktuar dëm në vlerë prej 343.00 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi