Dënohet me 1000 euro gjobë i akuzuari për keqpërdorim të ujit të pijes

Gjykata
Author

Raporton: Egzon HALILI

Gusht 9, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit vjedhje të shërbimeve komunale, Feriz Murati.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e rastit, Fatime Dermaku, i akuzuari është dënuar me njëmijë euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Murati është obliguar që në emër te shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 30 euro.

Sipas gjykatëses Dermaku, palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit, ndërsa palën e dëmtuar e ka udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, i akuzuari nuk e kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 2 korrik 2019.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 qershor 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Feriz Murati akuzohet se më 23 maj 2017, punëtorët e autorizuar të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, gjatë inspektimit të ujëmatësit, kanë konstatuar se i akuzuari Murati, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitime pasurore të kundërligjshme, është kyçur ilegalisht jashtë ujëmatësit me një gyp.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari gypin e ka shfrytëzuar për ujitjen e bahçes me ujë të pijshëm, duke e shfrytëzuar atë jashtë pikës matëse, me ç’rast të dëmtuarës Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, i ka shkaktuar dëm material.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi