Dënohet me 10 muaj burgim i akuzuari që pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje

Syle Osmani foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Qershor 26, 2020

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, e ka dënuar me 10 muaj burgim efektiv të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Sylë Osmani.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Mentor Bajraktari, i akuzuari Osmani është obliguar që t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 100 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Osmani i janë konfiskuar edhe arma, karikatori dhe fishekët, të cilat ishin sekuestruar nga ana e Policisë së Kosovës.

Sipas gjykatësit Bajraktari, i akuzuari Osmani ka qenë i dënuar më parë për shtatë vepra penale, tri nga të cilat kishin qenë për armëmbajtje pa leje.

Paraprakisht, në seancën fillestare të së martës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ardita Beqiraj, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Sylë Osmani po ngarkohet me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga data e pavërtetuar e deri më 4 gusht 2019, rreth orës 00:30, në rrugën “Gasper Karraqi” në Gjakovë ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin, në atë mënyrë që derisa ka qenë duke e drejtuar veturën e tij “BMË”, me rastin e kontrollit të bërë në veturën e tij nga ana e zyrtarëve policorë është gjetur një pistoletë e tipit “Walther”, një karikator dhe shtatë fishekë të kalibrit 7.65mm, të cilat janë sekuestruar nga zyrtarët policor. /BetimipërDrejtësi