DËNOHET ME 10 MUAJ BURG ISH-ZYRTARI I BANKËS PËR BIZNES

Raporton: Bukurezë SURDULLI 

Prishtinë – Ish-zyrtari i Bankës Për Biznes (BPB), Bajram Lubovci u dënua me 10 muaj burg efektiv, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Në këtë dënim do të përfshihet koha sa i akuzuari ka qëndruar në paraburgim prej 9 muaj dhe 17 ditë. Përveç kësaj, sipas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në seancën e së premtes, Lubovci detyrohet që ta kompensoj BPB-në, si palë e dëmtuar në këtë rast.

Prokurori i cili përfaqësoj aktakuzën, Abdurrahim Islami, gjatë fjalës së tij përfundimtare tha që fajësia e Bajram Lubovcit u vërtetua nga ekspertiza financiare dhe nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor. Duke e mbështetur aktakuzën e prokurorisë, Islami theksoi që  nuk ka asnjë mëndyshje që i akuzuari në kohën kur ka punuar si sportelist në BPB, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme 76.988 euro. Sipas tij, pretendimet e të akuzuarit gjatë seancave të mëhershme, që ai i ka kthyer BPB-së shumën prej 51.032 euro nuk mund të qëndrojnë për shkak se në vendimin origjinal të prezantuar nga banka në fjalë, kjo shumë nuk figuron.” Në vendimin origjinal të bankës  tregohet një shumë tjetër të cilën e kanë pranuar banka, e që është fjala për shumën prej 16.000 euro dhe herën tjetër në shumën prej 9.900 euro. Këto shuma nuk janë të përfshira në shumën që u cek më lartë e që është objekt I aktakuzës”, u shpreh Islami.

Në anën tjetër, ish-zyrtari i kësaj banke, deklaroi të kundërtën duke thënë që atë shumë që e përmendi prokurori prej 9.900 euro, nuk e ka dëgjuar asnjëherë gjatë këtij gjykimi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut në atë kohë, e cila daton nga viti 2010, Bajram Lubovci akuzohet se gjatë periudhës 2009/10, si sportelist në Bankën për Biznes, dega në Shtime, ka përvetësuar para të kundërligjshme. Këtë e ka bërë duke tërhequr pensionet e pensionistëve që dyshohet se kanë vdekur, duke përvetësuar para në vlerën prej 76.988 euro. Për këtë veprim prokuroria e ka ngarkuar Lubovcin me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.  Duke u bazuar në përshkrimin e bërë në aktakuzë, Bajram Lubovci ka deklaruar atë kohë në prokurori që ka tërhequr para të pensionistëve që nuk kanë qenë gjallë, me qëllim që më pas t’i kthej ato. Sipas tij, ky ishte një borxh që i kishte marrë bankës dhe i kishte kthyer asaj 51.032 euro.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë