Dënohet me 1 vit e 6 muaj burgim ish-shefi i prokurimit të Gjilanit, i akuzuar për korrupsion

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan- Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Salih Kqiku duke i shqiptuar dënim me burg prej 1 vit e 6 muaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shpalljen e aktgjykimit ndaj Kqikut u bë të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Aziz Shaqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, për pikën e parë të aktakuzës i akuzuari Kqiku është liruar nga akuzat për shkak të mungesës së provave, ndërsa për pikën e dytë të aktakuzës është shpallur fajtor me dënim me burg prej 1 vit e 6 muaj, dënim ky i cili do të ekzekutohet  pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Palët kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankesa në Gjykatë të Apelit në afat prej 15 ditësh.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Departamentit të Prokurimit – menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, nga 22 tetori 2014 deri më 21 mars 2017, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, lidhur me kontratën kornizë “Mirëmbajtja e ndriçimit publik në fshatrat e komunës së Gjilanit”, e lidhur në mes të Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Elektring” nga Ferizaji, e cila kontratë ka qenë trevjeçare.

Sipas aktakuzës, kontrata në fjalë ka zgjatë deri më 14 tetor 2016, përkundër që është dashur ta përmbyll të njëjtën gjatë kohës sa ka qenë menaxher, ka vazhduar me pagesa, nënshkrimin e urdhër-blerjeve duke tejkaluar vlerën e kontratës në shumë prej 79 mijë e 999 euro e 70 centë.

Thuhet se derisa me këtë i solli përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorit ekonomik “Elektring” nga Ferizaj, ka sjellë rrezikun e rritjes së obligimeve jashtë kontraktuale dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit.

Gjithashtu Salih Kqiku akuzohet edhe për kontratën “Hartimi i projekteve kryesore në Komunën e Gjilanit Lot II”, e lidhur mes Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Engrup – Edona” e cila kontratë ka qenë trevjeçare, e që ka tejkaluar vlerën në shumë prej 278 mijë e 438 euro e 21 centë, duke dëmtuar Komunën e Gjilanit e duke i diskriminuar operatorët e tjerë potencial.

Për këto veprime, sipas dispozitivit të parë dhe të dytë të aktakuzës, Kqiku akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryesi i së cilës dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë