Dënohet me 1 mijë 600 euro gjobë i akuzuari për posedim të rreth 7 gramëve marihuanë

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan – Gjykata Themelore në Prishtinë dega në Lipjan, e ka dënuar me 1600 euro të akuzuarin A.I, për akuzën se gjatë viti 2016 iu kishte gjetur substance e mbështjella me foli me peshë 3.1 gram, e të cilat substanca kanë qenë në sasi prej 7.00 gram, të llojit kanabis marihuanë që përmban tetrahidrokanibol.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit I. u shpall  të enjten, nga gjykatësi Selman Salihi në prani të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari fillimisht është dënuar më katër muaj burg, dënim i cili me pëlqimin e të njëjtit iu është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumen prej 1100 euro.

Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari I. është dënuar po ashtu me dënim më gjobë në shumën prej 500 euro, ndërsa konform neni 80 të njëjtit iu është shqiptuar një dënim unik prej 1600 euro.

Në rast se i akuzuari nuk e paguan gjobën e cekur si më lartë në afatin prej 15 ditësh të njëjtit dënimi më gjobë do t’i zëvendësohet me dënim më burg duke llogaritur 20 euro një ditë të kaluar në burg.

Obligohet i pandehuri I. që në emër të shpenzimeve të procedurë penale dhe paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20 euro si dhe 30 euro në emër të Kompensimit të Viktimave të Krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, i akuzuari I. është deklaruar fajtor në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur paraprakisht.

Këtë deklarim i pandehuri I. e ka bërë pasi është njoftuar me të drejtat e tij dhe ka hequr dorë nga leximi i aktakuzës pasi sipas tij, e ka të qartë dhe e ka kuptuar në tërësi të njëjtën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I., ka thënë se, e ndjen vetën fajtor dhe e pranon fajësinë me vullnetin e tij, pa presion dhe nuk e kundërshton aktakuzën.

Tutje ai ka shprehur pendesë dhe ka thënë se i vjen keq që gjendet në gjykatë duke i premtuar të njëjtës që më nuk do ta përsërisë këtë vepër penale.

Ai në fund ka kërkuar nga gjykata që nëse ka mundësi e njëjta t’i shqiptoj një dënim me gjobë pasi për këtë vepër parashihet edhe dënim me burg.

Prokurori Ali Ajdini u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit I. dhe si i tillë ky pranim më pas u aprovua edhe nga gjykatësi Selman Salihi.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuar ishte edhe A.R,  mirëpo ndaj të njëjtit është veçuar procedura pasi që, gjykatësi Selman Salihi njoftoi se ai është i paarritshëm për organet  e ndjekjes, ndërsa për të ka thënë se gjykata pranin e tij  për seancë do ta kërkoj përmes lëshimit të udhërarrestit.

Ndërsa, procedura penale ka vazhduar për të akuzuarin tjetër A.I.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 gusht 2017, më 11 shtator 2016, rreth orës 19:00, në rrugën “Haredin Bajrami” në Lipjan, Policia e Kosovës gjatë patrullimit ka ndalur veturën “Mercedes”, të cilën e drejtonte A.I, tani i pandehuri, dhe gjatë kontrollit tek i pandehuri Armend Reçica, në kuletën e tij është gjetur një qese me substancë narkotike, me peshë 2.3 gram dhe një pako rizlla (letër).

Siç thuhet në aktakuzë, gjatë kontrollit të veturës, nën ulësen e përparme në anën e majtë tek drejtuesi i automjetit, tani i pandehuri Astrit Ibishi, është gjetur substance e mbështjella me alofoli me peshë 3.1 gram, e të cilat substanca kanë qenë në sasi prej 7.00 gram, të llojit kanabis marihuanë që përmban tetrahidrokanibol.

Në aktakuza thuhet se, që të dy të pandehurit i kanë poseduar pa autorizim, me ç’rast është konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë secili veç e veç ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275 paragrafi I, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, Nr 04/L-82 /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë