Dënohet ish-drejtori në Prizren që pranoi fajësinë për lidhjen e kontratave të kundërligjshme me televizionet lokale

Hasan Hasani (5)
Author

Raporton: Avni BERISHA

Tetor 9, 2019

Prizren – Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, e ka dënuar me gjashtë muaj burg, ish-drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Hasan Hasani, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Por, që dënimi me burgim me pëlqimin e të akuzuarit, i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 3000 euro.

Ai akuzohet për lidhjen e kontratave të kundërligjshme me televizionet lokale, TV Opinion dhe TV Besa me ç’rast Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm prej shtatëmijë euro.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Artan Sejrani, pasi që i akuzuari paraprakisht ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka thënë se i akuzuari Hasani, pas konsultave me mbrojtësin e tij, avokatin Hazër Susuri, pas negocimit ka lidhur marrëveshjen për pranimin e fajësisë, atë e kanë arritur në mënyrë vullnetare dhe pa presion.

Ai ka thënë se me rastin e rekomandimit të dënimit, jan nisur nga fakti se i akuzuari ka pranuar fajësinë, më herët nuk ka qenë i dënuar dhe është familjar.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Susuri, ka thënë se marrëveshja për pranimin e fajësisë, e lidhur mes palëve në procedurë, është bërë në formën e caktuar ligjore, por sipas tij, gjykatësi i çështjes me rastin e shqiptimit të dënimit të propozuar prej gjashtë muajsh burgim, me pëlqimin e të mbrojturit të tij, ta shndërrojë në dënim me gjobë, në vlerë sa më të ulët.

Avokati Susuri, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e shqiptimit të dënimit të ketë parasysh që i akuzuari për herë të parë në jetën e tij bie ndesh me ligjin, është familjar, baba i katër fëmijëve, tani i papunë, andaj të shqiptojë një dënim sa më të butë.

Gjykatësi Artan Sejrani, i ka njoftuar palët prezente se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Gjykatësi Sejrani, po ashtu të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor 100 euro, dhe shumën prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Hasan Hasani të  cilin e ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Hasan Hasani akuzohet se gjatë periudhës kohore janar 2015 e deri në dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion, TV Besa.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hasani, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Hasani, gjatë periudhës kohore 10 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 300 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 01 maj 2016, deri me 31 dhjetor 2016, kishte lidhur kontratë prej 200 euro në muaj, që për 8 muaj arrin shumën 1600 euro, si dhe për në periudhën 01 prill 2016, e deri më 21 dhjetor 2016, kishte lidhur kontrat me TV Besa, në vlerë prej 200 euro në muaj, që për 9 muaj kap shifrën prej 1800 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi