Dënohet i akuzuari që pranoi fajësinë se e kishte sulmuar asamblistin e PDK-së në Dragash

foto per web 27.06.2019
Author

Raporton: Albulena HUÇAJ

Qershor 27, 2019

Dragash – Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, të akuzuarin për sulm ndaj personit zyrtar, Naser Arifi.

Por, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet në periudhën verifikuese prej një viti, nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Bekri Vehapi, e ka obliguar të pandehurin edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 30 euro në emër të viktimave të krimit,40 euro për ekspertizën mjekoligjore, dhe 20 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Në seancën fillestare të së enjtes, i pandehuri Arifi, para shpalljes së aktgjykimit, e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

“E pranoj fajësinë me vullnet dhe pa presion. Më vjen keq për këtë që ka ndodhur. Nuk do të përsëris më”, ka thënë ndër të tjerash, i pandehuri Arifi.

Pranimin e fajësisë nga ana e akuzuarit nuk e ka kundërshtuar as prokurori Shpend Binaj, pasi që siç ka thënë ai, është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe është në përputhje me dispozitat në të cilat mbështetët aktakuza.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 prill 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Naser Arifi, akuzohet se më 15 shkurt 2019, rreth orës 14:30, në fshatin Bresanë të Dragashit, sulmon personin zyrtar, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se vepra kryhet në atë mënyrë që derisa i dëmtuari Betim Merdiu, shef i asamblistëve të PDK-së në Komunën e Dragashit, ishte me një delegacion nga Turqia, në një takim pune, në ndërkohë i pandehuri me telefon e kontakton atë duke e pyetur “ku je bre n****”.

Sipas aktakuzës, pasi që i akuzuari e kupton se ata ishin rrugës për tek restorant “Dielli”, shkon atje, takohen tek hyrja e restorantit, ku pas një debati verbal, i pandehuri e godet të dëmtuarin në pjesën e syrit dhe mollëzën e majtë, me çka i shkakton lëndime të lehta trupore, të konstatuara edhe me ekspertizën mjekoligjore.

Me këto, veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, e paraparë në nenin  410, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi