Dënohet 800 euro me gjobë për përdorim të paautorizuar të pasurisë

Raporton: Diana BERISHA

Ferizaj –  Sabri Murseli i akuzuar për përdorim të paautorizuar të pasurisë, u dënua me gjobë prej 800 eurove në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pretenduar se i pandehuri Murseli gjatë muajit tetor 2015, duke qenë në pozitën e Drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pa autorizim ka përdorur pasurinë e cila i’u është besuar për shkak të detyrës zyrtare. Sipas Prokurorisë i njëjti supozohet se i ka dhënë në shfrytëzim veturën, shtëpisë së shëndetit në Komunën e Shtërpcës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i çështjes Shukri Jashari, i akuzuari Museli tha se i ka kuptuar të drejtat të cilat i takojnë sipas ligjit dhe i njëjti dëshiron ta pranojë fajësinë.

Tutje Murseli deklaroi se ka rënë në lajthitje duke bërë një veprim të tillë për të cilin është penduar. Ai gjithashtu shtoi se pas dhënies së autorizimit të njëjtin e ka revokuar më pas.

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi deklaroi se pasi që aktakuza nuk përmban gabime faktike apo ndonjë shkelje ligjore t’i bëhet pranimi i fajësisë për këtë vepër penale.

Andaj gjykata morri vendim për shpallje të aktgjykimit me anë të së cilit Murseli u dënua me gjobë prej 800 eurove.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë