DËNOHEN POLICI FAHRI MURATI PËR RYSHFET DHE BURBUQE RAMAJLI PËR PREZANTIM TË RREMË NË ROLIN E GJYKATËSES

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Fahri Murati i akuzuar për veprën penale  “marrje të  ryshfetit “ u dënua me një vjet burgim dhe 200 euro gjobë, Burbuqe Ramajli e akuzuar  për veprën penale  “prezantim i rremë si person zyrtar” u dënua me pesë muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë. Ky aktgjykim është shpallur të enjtën në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Sipas aktakuzës së prokurorit, Shukri Jashari, Fari Murati akuzohet se më 23 shtator 2015, si policë në Stacionin Policor në Han të Elezit, ka kërkuar përfitim pasuror, dhe atë një shumë parash në vlerë prej 400 euro nga i dëmtuari Zijadin Berisha, i cili ishte nën masën e arrestit shtëpiak për vepër penale të terrorizmit, sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës, Murati kishte shkuar pa autorizim në fshatin Gorancë, për të verifikuar nëse i pandehuri ishte duke respektuar masën e arrestit shtëpiak, dhe nga i dëmtuari kishte kërkuar para me qëllim që të mos përpilojë raport për mosrespektim të masës së arrestit shtëpiak, ku i dëmtuari nga frika ia kishte dhënë 400 euro.

Gjithashtu edhe Burbuqe Ramajli, më23 shtator 2015, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore është prezantuar rrejshëm si gjykatëse, në atë mënyrë që së bashku me të Muratin kishin shkuar tek shtëpia e të dëmtuarit, ku e pandehura i kishte thënë se ajo i dinte rregullat dhe se ai nuk kishte guxuar të dilte as prej oborrit.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë