Dënohen me nga 500 euro gjobë të akuzuarit për posedim të paautorizuar të kokainës

Peje
Author

Raporton:  Rita MAZREKAJ

Korrik 15, 2020

Pejë – Me nga 500 euro gjobë, Gjykata Themelore në Pejë, të mërkurën, i ka dënuar të akuzuarit për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Milot Lajqi dhe Murlan Ibraj.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Ahmet Rexhaj, menjëherë pas seancës mbi shqyrtimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë, në të cilën është aprovuar marrëveshja e lidhur mes të akuzuarve dhe Prokurorisë Themelore në Pejë, me 9 dhjetor 2019.

E njëjta marrëveshje parashihte shqiptimin e dënimit me gjobë prej 500 eurove, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit veç e veç, brenda 90 ditëve, janë to obliguar ta paguajnë gjobën nga 500 euro, si dhe janë të obliguar të kryejnë pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 20 eurove dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 eurove.

Gjyqtari Rexhaj po ashtu ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, konfiskimin e narkotikut.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Sadije Muriqi, e as mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare, Xhelal Radoniqi dhe Agim Shala.

Më pas, me aktvendim, marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë e aprovoi edhe gjyqtari Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur me 17 dhjetor 2019, Milot Lajqi akuzohet se me 17 shkurt 2019, në rrugën “Perandori Justinian” në Pejë, pa autorizim posedon substanca narkotike të llojit kokainë, me sasi prej 0.5 gram, në atë mënyrë pasi që në ditën kritike, Policia e Kosovës kanë ndaluar automjetin e llojit “Renault” me ngjyrë të hirtë, të cilën e drejtonte Murlan Ibraj, dhe gjatë kontrollit, në xhepin e xhaketës së të pandehurit Lajqi, policia ka gjetur dhe sekuestruar një qese të substancës narkotike siç është cekur më lartë.

Po ashtu dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, me datë dhe vend të njëjtë, Murlan Ibraj pa autorizim posedon substanca narkotike të llojit kokainë , me sasi prej 0.5 gram, në atë mënyrë pasi që në ditën kritike, Policia e Kosovës kanë ndaluar automjetin e llojit “Renault” me ngjyrë të hirtë, të cilën e drejtonte i pandehuri Ibraj, dhe gjatë kontrollit, para këmbëve të tij, në dyshemenë afër tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një qese të substancës narkotike siç është cekur më lartë.

Me këto veprime, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275 par. 2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi