Dënohen me nga 300 euro gjobë pesë të akuzuar për pjesëmarrje në rrahje dhe lëndim të lehtë trupor

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Ibrahim Behluli, Gazmend Behluli dhe Leutrim Behluli të akuzuar për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje”, u dënuan me gjobë në shumë prej 300 eurove. Gjithashtu edhe dy të pandehurit e tjerë në këtë çështje penale Xheladin Behluli dhe Elbasan Behluli të akuzuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” u dënuan me gjobë në shumë prej 300 eurove.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari individual i çështjes, Ilir Bytyqi, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Të pandehurit pranuan fajësinë për veprat penale që u ngarkohen me aktin akuzues. Të njëjtit deklaruan se janë penduar për atë që ka ndodhur dhe se rasti ka ndodhur nga mendjelehtësia. Ata po ashtu thanë se tani kanë raporte të mira mes vete pasi që janë edhe kushërinj mes vete, si dhe kërkuan falje publikisht njëri tjetrit duke premtuar se një gjë e tillë nuk do të përsëritet.

Në këtë çështje penale ishin të akuzuar edhe Besim Behluli dhe Egzon Behluli të cilët nuk prezentuan në sallën e gjykimit. Ndërkaq lidhur me mungesën e tyre gjyqtari Bytyqi konstatoi se me aktvendim është veçuar procedura ndaj tyre, sepse kanë marrë verifikimin nga policia që të njëjtit gjenden jashtë shtetit, përkatësisht në Zvicër.

Pika 1 e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzonte të pandehurit Ibrahim, Gazmend dhe Leutrim Behluli për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje” sepse më 29 tetor 2013 rreth orës 00:30 pas një mosmarrëveshje mes tyre dhe Xheladin e Elbasan Behlulit, pasi kishin luajtur futboll, kishin shkuar në shtëpi dhe aty të pandehurit pas një konflikti verbal janë rrahur me njëri tjetrin. Fillimisht kishin sulmuar Xheladinin, e më pas i pandehuri Elbasan është rrahur me të pandehurin Ibrahim. Nga pasojat e kësaj rrahje që ka ndodhur, lëndime të lehta trupore kishin pësuar të pandehurit Xheladin dhe Elbasan Behluli.

Dispozitivi i dytë i aktakuzë ngarkonte të pandehuri Xheladin dhe Elbasan Behluli për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, sepse në vendin dhe kohën e njëjtë, pasi kishin shkuar në shtëpi ishin takuar me të pandehurit Ibrahim, Burim, Gazmend, Leutrim Behluli dhe Egzon Ismajli dhe aty kishte filluar rrahja mes tyre, ku  i pandehuri Elbasan me një thikë, ndërsa i pandehuri Xheladin me grushta i kanë sulmuar të pandehurit Ibrahim dhe Leutrim Behlul, duke u shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë