Dënohen me nga 300 euro gjobë dy të akuzuarit për sulm dhe lëndim të lehtë trupor

69800849_500803203810474_734715844596072448_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shtator 10, 2019

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të martën, i ka dënuar me nga 300 euro gjobë, dy të akuzuarit për sulm dhe lëndim të lehtë trupor, Fatbardh Prokorogja dhe Afrim Isufi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sadri Krasniqi, të akuzuarit Prokorogja dhe Isufi obligohen që të paguajnë secili shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësor, si dhe nga 30 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Palët e pakënaqura, sipas gjykatësit Krasniqi, ndaj këtij aktgjykimi, brenda afatit ligjor, kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Paraprakisht, në seancën e së martës, të akuzuarit Prokorogja dhe Isufi e kanë pranuar fajësinë me të cilën i ngarkon akti akuzues.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Huma Jetishi, ka deklaruar se meqenëse të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë, ajo kërkoi nga gjykata që të merren të gjitha rrethanat rënduese, si dhe ato lehtësuese ndaj tyre, duke kërkuar që të akuzuarve t’u shqiptohet një dënim meritor i bazuar në ligj.

Ndërkaq, të akuzuarit në fjalën e tyre përfundimtare, kanë kërkuar nga gjykata që atyre t’u shqiptohet një dënim sa më i butë, duke premtuar se vepra të tilla penale më nuk do të përsërisin.

Ndryshe, në këtë rast të akuzuar për lëndim të lehtë trupor kanë qenë edhe Fisnik dhe Ilmi Maliqi dhe Ramiz Morina.

Në seancën e 31 tetorit të vitit të kaluar, Fisnik dhe Ilmi Maliqi kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Gjilan, për pranimin e fajësisë, të cilën marrëveshje e kishte aprovuar gjykatësi Sadri Krasniqi, dhe atyre u kishte shqiptuar dënim me gjobë, ku secili prej tyre ishte dënuar me nga 200 euro gjobë, ndërsa ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarve Prokorogja, Isufi dhe Morina.

Ndërkaq, në seancën e 16 korrikut 2019, i akuzuari Ramiz Morina, po ashtu kishte arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë, me ç’rast pas aprovimit të saj, ai ishte dënuar nga gjykata me 300 euro gjobë, dhe përsëri ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarve Prokorogja dhe Isufi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 27 prill 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë të akuzuarve Fisnik dhe Ilmi Maliqi, Fatbardh Prokorogja, Afrim Isufi dhe Ramiz Morina, të cilët dyshohet se në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale “sulmi” dhe “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Fatbardh Prokorogja, më 4 prill 2017, rreth orës 02:00 në Berivojcë të Kamenicës, në restorantin “Te Afrimi i Danit”, e ka sulmuar të dëmtuarin – akuzuarin Fisnik Maliqi.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Prokorogja, duke qenë nën ndikimin e alkoolit, kishte marr një shishe me birrë, e kishte thyer, ku dhe e kishte lagur në shpinë të dëmtuarin Fisnik Maliqi, me ç’rast kishte filluar mosmarrëveshja verbale midis tyre, dhe në shenjë revolte i akuzuari Prokorogja, përdorë forcën dhe e sulmon fizikisht tani të dëmtuarin Maliqi, duke e goditur me shishe të birrës.

Me këtë, sipas prokurorisë, i akuzuari Prokorogja, ka kryer veprën penale “sulmi” nga neni 187 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Fisnik Maliqi, Afrim Isufi, Ramiz Morina dhe Ilmi Maliqi, më 4 prill 2017, në restorantin “Te Afrimi i Danit” në Berivojcë të Kamenicës, i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Fatbardh Prokorogja, në atë mënyrë që derisa Fatbardhi ka kaluar afër tavolinës ku kanë qenë ulur të akuzuarit, ku dhe i kishe rënë shishja e birrës nga dora dhe për pasojë është lagur i dëmtuari – akuzuari Fisnik Maliqi.

Në shenjë revolte të akuzuarit me shishe të birrës dhe gota e godasin tani të dëmtuarin Prokorogja, i cili nga goditjet e marra është rrëzuar në tokë dhe ka pësuar lëndime trupore.

Me këtë, sipas prokurorisë, të akuzuarit Fisnik dhe Ilmi Maliqi, Afrim Isufi dhe Ramiz Morina, në bashkëkryerje dhe bashkëveprim kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi