Dënohen me nga 3 muaj burgim me kusht dy të akuzuarit që pranuan se i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore njëri-tjetrit

20210407_111749 1
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Prill 7, 2021

Istog – Me nga tre muaj burgim me kusht janë dënuar të akuzuarit për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, Flamur Çitaku dhe Flamur Salihaj, nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ndaj

Dënimet me burg ndaj tyre nuk do të ekzekutohen, nëse në periudhë verifikuese prej një viti të njëjtit nuk kryejnë vepra të tjera penale, raporton  “Betimi për Drejtësi”.

I pandehuri Flamur Çitaku po ashtu është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 80 euro në total, ndërsa i pandehuri Flamur Salihaj është liruar nga shpenzimet, me arsyetimin se i takon kategorisë social, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të mërkurën, nga gjykatësi Arben Mustafaj, pasi që paraprakisht të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për veprën penale e cila u bie në barrë.

I pandehuri Flamur Çitaku ka shprehur keqardhje për rastin, duke i premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të bie ndesh më me ligjin.

Edhe i pandehuri Flamur Salihaj ka shpreh keqardhje për rastin, duke shtuar se në të ardhmen nuk do të ketë probleme me të pandehurin Çitaku.

Prokurori Muharrem Bajraktari nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurve, duke kërkuar nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit, të pandehurve pranimi e fajësisë t’u merret si rrethanë lehtësuese.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 14 shkurt 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Flamur Çitaku dhe Flamur Salihaj, duke i akuzuar për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Flamur Çitaku, më 31 dhjetor 2019, rreth orës 09:30 minuta, në fshatin Gurrakoc, në oborrin e të dëmtuarit Flamur Salihaj, i shkakton lëndim të lehtë trupor, me pasoja të përkohshme në shëndet të këtij të fundit.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Çitaku ka shkuar në oborrin e të dëmtuarit-dhëndrit, për ta vizituar motrën e tij, ku aty ka dalur i dëmtuari me qëllim që ta parandaloj të pandehurin të vizitoj motrën e tij, ku ky i fundit në shenjë revolte e godet me grushte në kokë dhe shqelma në trup, duke e rrëzuar të njëjtin në tokë.

Tutje sipas aktakuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë si më lartë, i pandehuri Flamur Salihaj, i shkakton lëndim të lehtë trupor, me pasoja të përkohshme në shëndet të dëmtuarit Famur Çitaku.

Gjithnjë sipas aktakuzës, si rezultat i veprimeve të dëmtuarit Çitaku të përshkruar më lartë, i pandehuri Salihaj e godet atë me grushte në fytyrë dhe shqelma në trup. /BetimipërDrejtësi