Dënohen me kusht dhe gjobë i akuzuari për mashtrim

Gj (2)
Author

Raporton: Avni Berisha

Prill 7, 2021

Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë për të akuzuarin Reshat Hoti për veprën penale “mashtrim” .

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i  akuzuari Hoti nuk kryen vepër tjetër penale.

Pas fillimit të seancës prokurori Enis Gashi bëri përmirësimin e aktakuzës sa i përket veprës penale, duke bërë rikualifikimi juridik nga vepra penale mashtrim nga neni 323 paragraf 2 të KPRK-së në veprën penale mashtrim nenin 323 paragraf 1 të KPRK-së ndërsa sipas tij, pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pa ndryshuar.

I akuzuari ka thënë se ndjehen fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohen për rastin që i ka ndodhur.

Po ashtu i njëjti ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokuror Enis Gashi, i cili tha se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare dhe ka mbështetet në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjyqtari Shabani, ka obliguar të akuzuarin Hoti që të paguaj shpenzimet procedurale në shumen prej 30 euro.

Gjykatësi Shabani, po ashtu i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Gjakovë me datën 05 tetor 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Reshat Hoti sepse me datë 27 janar 2020, rreth orës 13: në fshatin Ratkoc të Rahovecit, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, i mashtron të dëmtuarit Naser Krasniqi dhe Kujtim Bytyqi.

Në aktakuzë thuhet se pasi që të dëmtuarit kishin dëgjuar se i pandehuri kishte mundësi që t’iu siguronte pajisjen me viza shengen, konkretisht me viza të shtetit të Hungarisë, me qëllim të udhëtimit jashtë vendit.

Tutje në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit pasi interesohen lidhur me vizat, i pandehuri iu premton se edhe atyre mund të iu siguron viza, ku nga secili prej tyre kërkon dhe merre shumën prej 2500 euro, mirëpo pasi që të dëmtuarit ia japin këto para dhe pas tentimit të kalimit të kufirit në Hungari, kuptojnë që këto viza janë të parregullta dhe më pas kërkojnë nga i pandehuri që t’iu kthej parat e marra nga ata. /BetimipërDrejtësi