Dënohen me burgim me kusht dy të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor

dddd
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Shkurt 14, 2020

Vushtrri – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, të premten, i ka dënuar me nga 6 muaj burg me kusht dy të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Ismet Shala dhe Ruzhdi Sejdiu.

Dënimin me burg të pandehurit nuk do ta mbajnë nëse brenda një viti nuk kryejnë vepra tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Ferki Xhaferi, pasi të akuzuarit pranuan fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Të akuzuarit kanë deklaruar se ndjejnë keqardhje për atë që ka ndodhur dhe se i premtuan gjykatës që nuk do ta përsërisin një veprim të tillë.

Ata gjithashtu thanë së janë pajtuar me palën e dëmtuar dhe se një kopje të aktpajtimit ia kanë dorëzuar edhe gjykatës si provë.

Në këto rrethana, mbrojtësi i të pandehurit Shala, avokati Kamer Cakaj i ka propozuar gjykatës që gjatë shqiptimit të dënimit, të marrë parasysh pranimin e fajësisë si rrethanë lehtësuese dhe mos kryerje të veprave penale para dhe pas këtij incidenti.

Po ashtu edhe mbrojtësja e të pandehurit tjetër Sejdiu, avokatja Fatmire Braha i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptoj një dënim alternativ si dhe të marrë parasysh si rrethanë lehtësuese bashkëpunimin me gjykatën, si dhe pranimin e fajësisë.

Pranimi i fajësisë nga të akuzuarit nuk është kundërshtuar as nga prokurori Sahit Tmava, pasi siç tha ai, një gjë e tillë ka mbështetje në shkresat e lëndës dhe i plotëson kushtet ligjore.

Ndryshe, më rastin e shpalljes së aktgjykimit, të akuzuarit ngarkohen edhe me shpenzime procedurale dhe taksën lidhur me fondin për kompensimin e viktimave.

Gjykatësi gjithashtu i ka njoftuar të pandehurit me të drejtën në ankesë, ndërsa të dëmtuarin e ka udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 14 janar 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ismet Shalës dhe Ruzhdi Sejdiut.

Sipas aktakuzës, të pandehurit me 16 dhjetor 2019, në kafiterinë e pompës së derivateve “IP Petrol”, pas një mosmarrëveshje që kishin ndërmjet vete të pandehurit me të dëmtuarin Faton, kishin filluar ta godasin me grushte dhe shqelma në pjesë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

Siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari kishte pësuar lëndime trupore, si plagë shqyese në pjesën e pasme të kokës dhe gërvishtje në regjionin ballor të kokës dhe në shuplakën e dorës së majtë.

Me këtë, Shala dhe Sejdiu akuzohen se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi