Dënohen me burgim dhe me gjobë të akuzuarit për vjedhjen e naftës nga gjeneratorët e kompanive “Ipko” dhe “Vala”

11111
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Prill 10, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të mërkurën, për herë të dytë i ka shpallur fajtorë dy të akuzuarit Armend dhe Hisen Konjuhi, pasi ndaj tyre është rikualifikuar vepra penale nga vjedhja grabitqare në vjedhje të rëndë.

Ata akuzoheshin se pas marrëveshjes paraprake mes tyre, kanë thyer drynin e gjeneratorëve të antenave të kompanive “Ipko” dhe “Vala” dhe nga rezervarët kishin mbushur bidonët me naftë.

Sipas aktakuzës, më pas ishin hetuar nga policia, të cilët urdhërojnë që të ndalojnë, me ç’rast i pandehuri Armend Konjuhi, del nga vetura, nxjerr pushkën automatike “AK 47”, duke shtënë shtatë herë në drejtim të policëve.

Armend Konjuhi është dënuar me 3 vjet burgim dhe 250 euro gjobë, kurse për veprën penale për tentim vrasje të rëndë, pas rikualfikimit nga gjykata, ai është dënuar me 1 vit burgim dhe 250 euro gjobë për përdorim të armës.

Kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha ndaj të pandehurit Armend Konjuhi, ka shqiptuar dënimin unik prej 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Kurse, i pandehuri Hisen Konjuhi është dënuar me 1 vit burgim dhe 250 euro gjobë.

Ndaj tyre do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgimin prej 11 korrikut 2017, deri 23 janar 2018.

Përveç dënimeve kryesore, ndaj të pandehurit Armend Konjuhi është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi arma që ka qenë pjesë e kryerjes së veprës penale.

Ndërsa, palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil.

Të pandehurit kanë të drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit, brenda 15 ditësh pas pranimit të këtij aktgjykimi.

Ndryshe, para shpalljes së aktgjykimit, në seancën e së mërkurës, është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurorja Sahide Gashi ka thënë se i akuzuari Armend Konjuhi ishte personi i cili me armën e llojit kallashnikov kishte gjuajtur në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët kishin kërkuar nga ai të ndalet, pas vjedhjes së bidonëve me naftë të gjeneratorëve të “Ipko” dhe Vala”, në Klinë.

Sipas prokurores Gashi, i akuzuari me dashje direkte dhe pa pasur provokime nga ana e policisë, kishte gjuajtur me armë në drejtim të tyre.

“Nuk kemi fare dilemë se kemi të bëjmë me bashkëkryerje ngase ekziston marrëveshja paraprake mes të akuzuarve, ndarja e detyrave, pra secili prej tyre ka patur rolin e vet dhe kontribut thelbësor në kryerjen e saj, kjo është vërtetuar nga një mori raportesh policor, krim teknikës, foto dokumentacioneve dhe deklarimi i të dëmtuarës, të cilat në lidhshmëri me njëra tjetrën e plotësojnë në tërësi figurën e veprës penale të vjedhjes grabitqare”, tha prokurorja Gashi.

Kurse, sa i përket veprës penale të tentim vrasjes së rëndë, për të cilin ngarkohet Armend Konjuhi, prokurorja Gashi deklaroi se edhe pse ekspertiza e Agjencisë së Frorenzikës në Kosovë, nuk kishte gjetur gjurmë të barutit tek i pandehuri për shkak se i njëjti, siç tha prokurorja, ishte arrestuar ditën pas ngjarjes dhe ishe munduar të zhdukë të gjitha gjurmët që lidhen me këtë vepër.

“Përkundër faktit se mungojnë gjurmët e barotit apo papilarët e të akuzuarit Armend në anën tjetër kemi shumë prova të pakontestueshme që e vërtetojnë këtë pikë të aktakuzës , kemi dëshminë e tre zyrtarëve policor të cilët e kanë sqaruar se çka ka ndodhur në natën kritike, se si janë gjetur në vijën e zjarrit dhe tentim të shmangies se zjarrit lëndimet që i kanë marrë, të mbështetura në prova materiale siç janë raportet mjekësore lidhur me lëndimet e marra si dhe raportet tjera”, tha prokurorja Gashi.

Në këtë drejtim, prokurorja kërkoi që gjykata në rastin e vendosjes së llojit dhe lartësisë së dënimit t’i merr parasysh rrethanat rënduese dhe të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Armend Konjuhi, avokati Isa Osdautaj tha se provat në të cilat mbështetet aktakuza nuk vërtetohet se i mbrojturi i tij kishte kryer veprën e vjedhjes grabitqare, por veprën penale të vjedhjes.

Kurse, sa i përket akuzës tjetër që prokuroria e rëndon të mbrojturin e tij, avokati Osdautaj tha se për të vërtetuar tentim vrasjen mungon prova materiale e barutit, e cila sipas ekspertizës forenzike, nuk kishte rezultuar tek klienti i tij.

Andaj, duke marrë për bazë këto rrethana, ai kërkoi nga gjykata që i mbrojturi i tij të gjykohet vetëm për veprën penale të vjedhjes.

Mbrojtësi i të pandehurit Hisen Konjuhi, avokati Rrustem Lajqi tha se nuk ishte vërtetuar me asnjë provë se kemi të bëjmë me veprën penale të vjedhjes grabitqare.

“Kemi të bëjmë me vjedhje për shkak se vendi ku është kryer vjedhja me vendin ku është është has  automjeti me dhjetë bidona naftë ne vlerë prej 200 euro është larg me kilometra(km), ndërsa personat në fjalë janë arrestuar tek të nesërmen në shtëpitë e tyre, e cila nuk lidhet me vjedhjen grabitqare”, tha avokati Lajqi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 22 janar 2018, kishte gjetur fajtor të pandehurin Armend Knjohi për kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare dhe armëmbajtje pa leje, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 3 viteve burgim dhe 1000 euro gjobë, dhe konfiskim të armës “AK-47”.

Ndërsa, i pandehuri Hisen Konjuhi, ishte gjykuar me 1 vit burgim dhe 250 euro gjobë, për shkak të veprës penale të vjedhjes grabitqare.

Gjykata e Apelit  më 2 maj 2018,  kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë së Pejës dhe mbrojtësve të akuzuarve dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje, e krejt kjo për shkak se vendimi ishte nxjerrë pa u vërtetuar në mënyrë të plotë gjendja faktike dhe shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Apeli ka udhëzuar shkallën e parë që në rivendosje të paraqes faktet dhe rrethanat nëse kemi të bëjmë me veprën penale objekt i akuzës apo me ndonjë vepër tjetër penale, të paraqes se në cilat fakte dhe prova është mbështetur aktgjykimit lirues ndaj të pandehurit Armend Konjuhi për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe a ekzistojnë ndonjë formë e rrezikimit të integritetit trupor të dëmtuarve.

Sipas aktakuzës, Armend dhe Hisen Konjuhi po akuzohen se më 11 korrik 2017, rreth orës 21:37, në fshatin Krushevë e Madhe, Komuna e Klinës, me dashje e me marrëveshje me njëri-tjetrin, të zënë në befasi gjatë kryerjes së aktit, me qëllim që të mbajnë pasurinë e vjedhur, kanë përdorë forcë.

Sipas aktakuzës, pasi të pandehurit kishin thyer drynin e gjeneratorëve të kompanive “IPKO” dhe “VALA” dhe rezervat e derivateve, derisa ishin duke i mbushur bidonët me naftë, me të hetuar nga policia, i pandehuri Armend Konjuhi me dashje direkte tenton t’i privojë nga jeta të dëmtuarit, policët Avni Krasniqi, Demë Raci dhe Ekrem Prekadini, duke shtënë gjithsej shtatë herë në drejtim të tyre. /Betimipërdrejtësi