Dënohen me burgim 11 studentët që pranuan fajësinë për dallavere me pagesat e semestrit në UP, për 19 të tjerë veçohet procedura

Studentat
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Maj 13, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me nga pesë muaj burgim efektiv 11 studentët Valdrin Dula, Jasmine Braha, Dafina Salihu Kastrati, Shkëndije Hulaj, Kreshnike Azemi, Valentinë Kalludra, Gazmend Xhelili, Qun Mengjiqi, Edita Kuçi, Saranda Ibishi dhe Mexhid Ukelli, të cilët akuzoheshin për legalizim të përmbajtjes së rreme.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që ata paraprakisht e kishin pranuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkoheshin lidhur me dallaveret për pagesat e semestrit në Universitetin e Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, është veçuar procedura ndaj 19 të akuzuarve të tjerë, prej të cilëve tre nuk e kishin pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar, që ishte mbajtur më 10 maj 2019, Rexhep Kurtbogaj, Shqipe Pnishi, Alketa Rugova, ndërsa Egzonita Osmani, Esat Sadiku, Labinot Ibishi, Valbone Halitaj, Xheladin Çeku, Mërgime Alaj, Robert Thaçi, Shtjefër Gashi, Nehat Gashi, Feim Berisha, Fatmire Mramori, Marigona Markaj, Petrit Sadiku, Arben Ramaj, Mirlinda Jashari dhe Arjanit Gjoklaj, nuk kishin marr pjesë në seancën e shqyrtimit fillestar.

Ata akuzohen se me qëllim të vënies në lajthim të organit kompetent- Fakultetin Ekonomik dhe Juridik në Prishtinë, dhe me qëllim të vërtetimit të një çështjeje si të vërtetë, nga data 13 deri më 30 mars të vitit 2011, kanë bërë një pagesë në vlerë prej pesë euro dhe pastaj në fletëpagesë kanë vendosur – shënuar shifrën 250 euro.

Gjykatësi Adnan Isufi ka njoftuar se ky dënim i shqiptuar me pëlqimin e të akuzuarve mund të zëvendësohej në dënim me gjobë dhe atë për të akuzuarit Valdrin Dula, Jasmine Braha, Kreshnike Azemi, Gazmend Xhelili, Saranda Ibishi, me gjobë në lartësi 800 euro.

Ndërsa, për të akuzuarit tjerë, si Shkëndije Hulaj, Edita Kuçi, Dafina Salihu Kastrati, Valentina Kalludra, Qun Mengjiqi dhe Mexhid Ukelli, dënim me burgim mund të zëvendësohej në gjobë me lartësi prej 700 euro.

Mirëpo, nëse të akuzuarit refuzojnë të paguajnë dënim me gjobë, atëherë ndaj tyre do të ekzekutohet dënimi me burgim, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, nga të akuzuarit e tjerë që e kishin pranuar fajësinë në shqyritimin fillestar, gjykatësi Isufi ka njoftuar se i akuzuari Valdrin Dula, paraprakisht ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në bazë të saj ka shqiptuar dënim me gjobë prej 800 euro, duke mos shqiptuar dënimin e rekomanduar sipas marrëveshjes në fjalë, që arrinte shumën prej 1000-1500 euro.

E dëmtuara, Universiteti i Prishtinës, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest civil.

Ndërsa, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Gjykatësi Isufi ka njoftuar të akuzuarit se nëse ata pajtohen me zëvendësimin e dënimit, atëherë gjobën e shqiptuar ata mund ta paguajnë deri në pesë këste.

Ndryshe, ndaj tre të akuzuarve që nuk e kanë pranuar fajësinë Rexhep Kurtbogaj, Shqipe Pnishi dhe Alketa Rugova, seanca e radhës është caktuar 14 qershor 2019.

Gjykatësi Adnan Isufi ka njoftuar se ndaj të akuzuarve Egzonita Osmani, Esat Sadiku, Labinot Ibishi, Valbone Halitaj, Xheladin Çeku, Mërgime Alaj, Robert Thaçi, Shtjefër Gashi, Nehat Gashi, Feim Berisha, Fatmire Mramori, Marigona Markaj, Petrit Sadiku, Arben Ramaj, Mirlinda Jashari dhe Arjanit Gjoklaj, të cilët nuk kanë prezantuar në këtë shqyrtim fillestar, por me qëllim të efikasitet është bërë veçimi i procedurës penale.

Gjykatësi ka njoftuar se i akuzuari Florentin Morina ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe se bazuar në atë marrëveshje, atij i ishte shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 5 muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 200 euro.

Ky dënim i ishte shqiptuar të akuzuarit Morina më 7 nëntor 2018, nga gjykatësi paraprak i cili ka udhëhequr me këtë çështje penale, Kujtim Krasniqi, para se kjo lëndë të transferohej tek gjykatësi Adnan Isufi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 mars 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Valdrin Dula, Jasmine Braha, Egzonita Osmani, Esat Sadiku, Labinot Ibishi, Dafina Salihu Kastrati, Valbone Halitaj, Shkendije Hulaj, Xheladin Çeku, Mërgime Alaj, Florentin Morina, Robert Thaçi, Shtjefer Gashi, Nehat Gashi, Rexhep Kurtbogaj, Feim Berisha, Kreshnike Azemi, Shqipe Pnishi, Fatmire Mramori, Marigona Markaj, Valentinë Kalludra, Petrit Sadiku, Gazmend Xhelili, Alketa Rugova, Arben Ramaj, Qun Mengjiqi, Edita Kuqi, Mirlinda Jashari, Saranda Ibishi dhe Mexhid Ukelli, në drejtim të kryerjes së veprës penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 334 par.1 të KPK-së.

Sipas aktakuzës Valdrin Dula, Jasmine Braha, Egzonita Osmani, Esat Sadiku, Labinot Ibishi, Dafina Salihu Kastrati, Valbone Halitaj, Shkendije Hulaj, Xheladin Çeku dhe Mexhid Ukelli, akuzohen se me qëllim të vënies në lajthim të organit kompetent- Fakultetin Juridik në Prishtinë, dhe me qëllim të vërtetimit të një çështjeje si të vërtetë, nga data 21 deri më 28 mars të vitit 2011, kanë bërë një pagesë në vlerë prej pesë euro dhe pastaj në fletëpagesë kanë vendosur – shënuar shifrën 250 euro.

Gjithnjë sipas akuzës, këtë fletëpagesë, të njëjtit më vonë e kanë dorëzuar në Universitetin e Prishtinës, konkretisht në Fakultetin Juridik, me qëllim të shfrytëzimit si origjinale, me të cilën e kanë regjistruar semestrin, duke vënë në lajthim punëtorët – zyrtarët për shërbimin e studentëve në fakultet, me çka të njëjtit kanë vërtetuar çështjen e pavërtetë si të vërtetë.

Sipas prokurorisë, 19 të akuzuarit tjerë, Mërgime Alaj, Florentin Morina, Robert Thaçi, Shtjefer Gashi, Nehat Gashi, Rexhep Kurtbogaj, Feim Berisha, Kreshnike Azemi, Shqipe Pnishi, Fatmire Mramori, Marigona Markaj, Valentinë Kalludra, Petrit Sadiku, Gazmend Xhelili, Alketa Rugova, Arben Ramaj, Qun Mengjiqi, Edita Kuqi, Mirlinda Jashari, akuzohen se me qëllim të vënies në lajthim të organit kompetent- Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, dhe me qëllim të vërtetimit të një çështjeje si të vërtetë, nga data 13 deri më 30 mars të vitit 2011, kanë bërë një pagesë në vlerë prej pesë euro dhe pastaj në fletëpagesë kanë vendosur – shënuar shifrën 250 euro.

Gjithnjë sipas akuzës, këtë fletëpagesë, të njëjtit më vonë e kanë dorëzuar në Universitetin e Prishtinës, konkretisht në Fakultetin Ekonomik, me qëllim të shfrytëzimit si origjinale, me të cilën e kanë regjistruar semestrin, duke vënë në lajthim punëtorët – zyrtarët për shërbimin e studentëve në fakultet, me çka të njëjtit kanë vërtetuar çështjen e pavërtetë si të vërtetë. /Betimipërdrejtësi