Dënohen me burg pesë zyrtarët e Komunës së Kaçanikut për falsifikim të dokumenteve zyrtare për tender
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema dhe Bujar Dullovi u dënuan me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve për veprën penale në bashkëkryerje “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, ndërkaq i akuzuari Betim Shala u dënua me tre muaj burgim.
Shpallja e aktgjykimit u bë të mërkurën nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli.
Kryetari Konxheli, tha se nga administrimi i të gjitha provave dhe fakteve është vërtetuar se të pandehurit e lartë cekur në bashkëkryerje si anëtarë të komisionit për vlerësim të ofertave lidhur me tenderin për gjelbërimin dhe rehabilitimin e rrugës “Ismajl Raka” në Kaçanik, kanë falsifikuar dokumentin zyrtar – procesverbalin e 14 korrikut 2011, duke shënuar të dhëna të pavërteta. Ata kanë shënuar se operatori “ATÇ-Çom” me seli në Kaçanik është përzgjedhur si fitues i tenderit, ndërkaq firma “Area” me seli në Kamenicë kanë shënuar se i mungojnë referencat për kryerjen e punëve të ngjashme, i cili fakt është vërtetuar nga pronari i kësaj të fundit se referencat kanë qenë në dosje. Po ashtu firma “ATÇ-Çom” kishte ofertuar shumën më të lartë se operatori “Area”, ndërkaq kriteri kryesor për fitimin e tenderit kishte qenë çmimi më i ulët i ofertuar.
Sa i përket të akuzuarit Betim Shala i çili u dënua me tre muaj burgim, kryetari trupit gjykues Musa Konxheli deklaroi se i njëjti si anëtarë i komisionit kishte marrë pjesë vetëm shtatë ditë pas nënshkrimit për marrëdhënie pune në Komunën e Kaçanikut, e cila u morr si rrethanë lehtësuese me rastin e matjes dhe caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, me ç’rast iu shqiptua një dënim më i butë.
Çështja penale ndaj pesë të akuzuarëve u zhvillua në bazë të akuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, sipas së çilës Fatos Koxha,Zekirja Koxha, Vedat Dema,Betim Shala dhe Bujar Dullovi në bashkëkryerje akuzohen për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”. Sipas Prokurorisë, ata kanë këtë vepër penale e kanë kryer më 14 korrik 2011, në Kaçanik, si persona zyrtarë dhe atë i pandehuri i parë si Kryetar i komisionit për vlerësim të ofertave kurse të pandehurit e tjerë si anëtarë të komisionit për tenderin e shpallur nga Komuna e Kaçanikut me destinim ”rehabilitimi i gjelbërimit në rrugën “Ismajl Raka” në Kaçanik”. Të akuzuarit në raportin e vlerësimit të ofertave të operatorëve ekonomik NNP “ATÇ-Çom”, NNP “Area”, SHPK “Alfa”, SHPK “Megi Bau GMBH”, kanë paraqitur të dhëna të pavërteta për kushtet teknike dhe profesionale dhe përgjegjshmërinë për operatorin NNP “Area”, se i mungojnë referencat për punët e kryera dhe vërtetimi për qarkullimin financiar edhe pse operatori ekonomik i kishte plotësuar këto kritere, Në këtë mënyrë i kanë rekomanduar Zyrës së Prokurimit miratimin e ofertës të operatorit ekonomik NNP “ATÇ-Çom”,- në vlerë prej 66,573,40 euro në kundërshtim me nenin 32.4 të Ligjit të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës, të cilit operator i kanë munguar referencat për punët e kryera dhe çmimi i ofertuar ka qenë më i lartë se i operatorit ekonomik NTP “Area” e cila kishte ofertuar me çmimin prej 45,149,35 euro.