Dënohen me burg efektiv dy të akuzuarit që pranuan fajësinë se kishin grabitur taksistët në vitin 2008

Raporti për web- rasti Visar Preteni etj, 10 qershor 2019
Author

Raporton: Saranda MEHANA

Qershor 10, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka marr aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për veprën penale të grabitjes në vazhdim, Visar Preteni dhe të akuzuarit për grabitje, Lulëzim Ismajli.

Sipas këtij aktgjykimit të shpallur të hënën, nga gjykatësi Avni Mehmeti, i akuzuari Preteni është dënuar me një vit e dy muaj burgim efektiv, të cilit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak nga 29 tetori 2008  e deri më 29 maj 2009, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, i akuzuari Lulëzim Ismajli, është dënuar me një vit burg efektiv, të cilit gjithashtu do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, 29 tetor e deri më 26 dhjetor 2008.

Preteni dhe Ismajli, secili veç e veç, janë ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurës në vlerë nga 30 euro, 20 euro për paushallin gjyqësor dhe  50 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Gjithashtu me këtë aktgjykim të dëmtuarit janë udhëzuar në kontest civil.

Paraprakisht të akuzuari Visar Preteni dhe Lulezim Ismajli kanë pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 7 qershor 2019.

Në këtë rast, ka qenë i akuzuar edhe Betim Syla, por në seancën e mbajtur më 6 qershor 2019, ishte veçuar procedura ndaj tij, me arsyetimin se jeton jashtë shtetit dhe nuk dihet saktë adresa e tij e banimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë Publike të Qarkut, të ngritur më 31 tetor 2008, e të precizuar në shqyrtimin fillestar më 7 qershor 2019, Visar Preteni akuzohet sepse më 19 tetor 2008, në Mitrovicë, pas një marrëveshjes paraprake, së bashku me të akuzuarin Betim Syla, pasi që janë armatosur me armë imituese- revole dhe dy thika, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm me përdorimin e forcës dhe kërcënimit nga i dëmtuari Gani Ademi kanë marr sendet e luajtshme.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që së pari kanë shkuar në Prishtinë, ku i dëmtuari punon si taksist dhe janë marr vesh që t’i sjellë në Mitrovicë, për çmimin prej 20 euro, e siç thuhet në aktakuzë i dëmtuari ka pranuar dhe me automjetin e  tij është nisur për ti sjell në Mitrovicë, dhe kur kanë arritur në Mitrovicë kanë kaluar tunelin janë kthyer në rrugën e parë djathtas që të dërgon në lagjen “Bair”, dhe me të hyrë në këtë rrugë e kanë detyruar viktimën ta ndalë veturë.

Siç thuhet në aktakuzë, kanë dal nga vetura i kanë nxjerrë armët duke ia drejtuar viktimës dhe me kërcënim e kanë detyruar që viktima t`ua jap paratë që i ka, në këtë mënyrë që nga i njëjti kanë marr para në vlerë prej 120 euro, një telefon celular të tipit “Nokia”, e pastaj e kanë urdhëruar viktimën që të largohet.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, akuzohet po ashtu Visar Preteni, se më 24 tetor 2008, në fshatin Kçiq i Madh, pas marrëveshjes paraprake së bashku me të akuzuarin Betim Syla, të armatosur me armë imituese – revole dhe dy thika me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm me përdorimin e forcës dhe kërcënimit nga i dëmtuari Agron Ademi, kanë marrë sendet e luajtshme.

Sipas aktakuzës, së pari kanë shkuar në Prishtinë ku i dëmtuari punon si taksist në kompaninë “Dallas”, e janë marr vësh që t`i sjellë në Mitrovicë, kështu që i dëmtuari ka pranuar dhe me automjetin e tij  është nisur për ti sjellë në Mitrovicë, dhe kur kanë arritur në fshatin Kçiq i Madh, e kanë detyruar që të kthehet në të majtë në një rrugë të paasfaltuar dhe me të hyrë në këtë rrugë e kanë detyruar viktimën ta ndalë veturën, kanë dal nga vetura i kanë nxjerrë armët, duke i drejtuar viktimës dhe me kërcënim e kanë detyruar që viktima t`ua jap paratë që i ka pas me vete.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në këtë mënyrë kanë marr paratë në vlerë prej 72 euro, një telefon të tipit “Motorla”, e pastaj e kanë urdhëruar viktimën që të qëndrojë aty derisa ata të largohen nga vendi i ngjarjes.

Sipas dipozitivit të tretë të aktakuzës, Visar Preteni akuzohet se më 26 tetor 2008, në fshatin Kçiq i Madh, pas marrëveshjes paraprake e së bashku me Betim Syla, të armatosur me armë imituese – revole dhe dy thika me qëllim që vetit ti sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm me përdorimin e forcës dhe kërcënimit nga i dëmtuari Asllan Canolli kanë marrë sendet e luajtshme.

Sipas aktakuzës, së pari kanë shkuar në Prishtinë ku i dëmtuari punon si taksist në kompaninë “Beki”, e janë marr vësh që t`i sjellë në Mitrovicë me çmimin prej 25 euro, kështu që i dëmtuari ka pranuar dhe me automjetin e tij  është nisur për ti sjellë në Mitrovicë, dhe kur kanë arritur në fshatin Kqiq i Madh, e kanë detyruar që të kthehet në të majtë në një rrugë të paasfaltuar dhe me të hyrë në këtë rrugë e kanë detyruar viktimën ta ndalë veturën, kanë dal nga vetura i kanë nxjerrë armët duke i drejtuar viktimës dhe me kërcënim e kanë detyruar që viktima t`ua jap paratë që i ka pasur me vete.

E sipas aktakuzës, në këtë mënyrë kanë marr paratë në vlerë prej 70 euro, një telefon të tipit “Nokia 310”, kuletën me dokumente personale dhe kasetofonin e automjetit të tipit “Sony”, e pastaj e kanë urdhëruar viktimën që të qëndrojë aty derisa ata të largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndërkaq, Betim Syla, Visar Preteni dhe Lulezim Ismajli, akuzohen edhe se më 29 tetor 2008, në Vushtrri, pas marrëveshjes paraprake e si grup i armatosur me tre armë imituese – revole dhe dy thika me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm me përdorimin e forcës dhe kërcënimit nga i dëmtuari Mursel Xhemajli, kanë marrë sendet e luajtshme.

Në atë mënyrë që së pari kanë shkuar në Prishtinë ku i dëmtuari punon si taksist privat, e janë marr vësh që t`i sjellë në Vushtrri me çmimin prej 15 euro, kështu që i dëmtuari ka pranuar dhe me automjetin e tij  është nisur për ti sjellë në Vushtrri, dhe kur kanë arritur në afërsi të “Banjska Transit”, të pandehurit e kanë detyruar që të kthehet  në të majtë në një rrugë të paasfaltuar në afërsi të xhamisë që gjendet aty, e kanë detyruar viktimën ta ndalë veturën, kanë dal nga vetura i kanë nxjerrë armët duke i drejtuar viktimës dhe me kërcënim se do ta sulmojnë jetën e tij kanë kërkuar nga i njëjti që tua jap të gjitha të hollat që i ka me vetë, në këtë rast i dëmtuari ka kundërshtuar ka filluar të ikë mirëpo të dyshuarit kanë arritur t`ia heqin xhaketën nga trupi, e nga e cila xhaketë të dyshuarit kanë marr një telefon të markës “Nokia” dhe një palë çelësa të automjetit, ndërsa i dëmtuari ka arritur të ikë ku ka dal në rrugën kryesore ka ndalur një automjet, përmes të cilit ka lajmëruar policinë, e pastaj menjëherë pas kësaj policia të dyshuarit i ka arrestuar në afërsi të vendit të ngjarjes.

Më këtë rast, sipas precizimit nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, në seancën fillestare më 7 qershor 2019,  i akuzuari Visar Preteni ngarkohet për katër dispozitat e aktakuzës me veprën penale “grabitja” nga neni 255, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës lidhur me nenin 81 të KPRK.

Ndërkaq, i akuzuari Lulëzim Ismajli, sipas precizimit të bërë po ashtu më 7 qershor 2019, ngarkohet  me veprën penale “grabitja”, nga neni 255, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi