Dënohen me burg efektiv dhe gjobë dy të akuzuarit për vjedhje të rëndë në kompaninë “Max Optika” në Podujevë

Foto nga gjykimi, 4 shtator, vjedhje e rende
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Shtator 4, 2020

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve për vjedhje të rëndë, Adnan Fetahu dhe Milot Mehana.

Ndaj të akuzuarit Fetahu gjykata ka shqiptuar burg efektiv në kohëzgjatje prej 3 vitesh, të cilin dënim obligohet ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Mehana, gjykata në fjalë ka shqiptuar dënim me burg efektiv në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muajsh, të cilin obligohet ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, të akuzuarit Fetahu i është shqiptuar edhe dënim me gjobë në vlerë prej 200 euro, ndërsa të akuzuarit Mehana në vlerë prej 100 euro, që obligohen t’i paguajnë në afat prej 15 ditësh që nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Konform nenit 79 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), të njëjtëve iu është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 21 shkurti 2020 e deri më 4 shtator 2020.

Po ashtu, të akuzuarit janë obliguar në pagesën e shpenzimeve të procedurës penale dhe atë 50 euro për paushallin gjyqësor, shumë kjo të cilën duhet ta paguajnë secili veç e veç, njësoj edhe për kompensimin e viktimave të krimit që të dy obligohen të paguajnë nga 30 euro.

I dëmtuari Fatmir Ejupi, për të realizuar kërkesën pasurore-juridike, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Bazuar në nenin 368 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPRK), gjykata i ka njoftuar palët mbi të drejtën në ankesë.

Të njëjtëve iu është ndërprerë masa e paraburgimit me aktvendim të veçantë.

Ky aktgjykim u shpall të premten, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, gjatë të cilit dy të akuzuarit e pranuan fajësinë për akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Këtë pranim fajësie nuk e kundërshtoi as prokurori Besart Mustafa.

Gjykata në Podujevë të akuzuarit Fetahu i ka caktuar për mbrojtës avokatin Rexhep Fusha, pasi avokati i tij me autorizim Osman Mehmeti, ka njoftuar gjykatën se nuk do ta mbrojë më të akuzuarin në fjalë.

Avokati Fusha deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij dhe ka kërkuar nga gjykata që një gjë e tillë të merret si rrethanë lehtësuese.

Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Mehana, avokati Remzi Potoku, duke deklaruar se klienti i tij kishte pasur kontribut relativisht më të vogël në lidhje me veprën penale në fjalë.

Që të dy avokatët kërkuan edhe ndërprerjen e masës së paraburgimit për klientët e tyre, pasi sipas tyre kanë përfunduar arsyet e vazhdimit të kësaj mase.

Ndryshe, gjykatësi Gazmend Bahtiri, me 10 gusht të këtij viti, ia kishte kthyer këtë aktakuzë Prokurorisë Themelore në Prishtinë për plotësim, për shkak të paqartësisë së dispozitivit, kërkesë kjo e përfunduar dy ditë më pas, përkatësisht me 12 gusht 2020.

Sipas aktakuzës së datës 14 korrik 2020, ndaj të akuzuarit Adnan Fetahu ekziston dyshim i bazuar se me ]18 dhjetor 2019, rreth orës 03:15, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me persona të tjerë të paidentifikuar, pas një marrëveshjeje paraprake, me dashje dhe me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, kanë vjedhur syze të markës origjinale “RayBan” dhe “Emporio Armani”, nga kompania shitëse “Max Optika”, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Adnan Fetahu, disa orë më herët nga kryerja e kësaj vepre penale, gjegjësisht në orët e vona të 17 dhjetorit 2019, ishte takuar me të pandehurin Milot Mehana, në lokalin-kafiterinë “River”, afër lumit Llap në Podujevë, ku i pandehuri Fetahu i kishte kërkuar bashkëpunim-ndihmë të pandehurit tjetër, për të realizuar vjedhjen në lokalin “Max Optika”, kështu që të njëjtit në orët e mesnatës gjegjësisht 00:05 të 18 dhjetorit 2019, ishin takuar në kafiterinë “Clips”, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë,  ku aty ishin marrë vesh saktësisht për detyrat gjatë kësaj vjedhjeje.

Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Mehana kishte marrë në obligim që me veturën “Golf 4” ngjyrë hiri, pa tabela, pas kryerjes së vjedhjes, të pandehurin Fetahu ta priste në rrugën e Xhamisë, për t’i ndihmuar gjatë largimit nga vendi ku do të kryhej vjedhja, kështu që rreth orës 03:15, i pandehuri Adnan Fetahu me persona të tjerë të paidentifikuar, të maskuar dhe me mjet të fortë – çekan të madh, e kanë goditur xhamin e lokalit “Max Optika” dhe kanë arritur ta thyejnë dhe të depërtojnë brenda, ku në një interval kohor prej 30 sekondash arrijnë të marrin 18 palë syze dielli të markave “Rayban” dhe “Emporio Armani”, në vlerë rreth 3600 euro, dy palë korniza me xhama optik në vlerë prej 300 euro, si dhe duke dëmtuar me thërrmija të grimcave të xhamave të thyer 35 palë syze që ishin në vitrinën reklamuese të lokalit dhe pas kryerjes së vjedhjes i pandehuri Fetahu dhe persona të tjerë të paidentifikuar fillojnë të largohen nga vendi i ngjarjes, por policia arrin në vendngjarje dhe fillon t’i ndjek, e të njëjtit ikin në drejtim të xhamisë së qytetit ku ishte duke i pritur në veturë Milot Mehana, mirëpo pasi policia ishte shumë afër kapjes së tyre, të njëjti në pamundësi që të hipin në veturë ku ishte duke i pritur Milot Mehana, shmangen nga vetura në fjalë dhe ikin, ku me këtë pronarit të kompanisë “Max Optika”, të dëmtuarit Fatmir Ejupit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Ndërsa, në dispozitivin e dytë thuhet se ekziston dyshim i bazuar mirë se me 18 dhjetor 2019, i pandehuri Milot Mehana me dashje e kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë” të akuzuarin Adnan Fetahu, në atë mënyrë siç përshkruhet në dispozitivin e parë. /BetimipërDrejtësi