Dënohen me afro 2 mijë euro gjobë pasi pranuan se penguan policët në kryerjen e detyrave zyrtare

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë- Të akuzuarit Arben Gashi, Agron Gashi dhe Ibrahim Hasimi janë dënuar me nga 600 euro gjobë, pasi pranuan se në mars të 2017-ës kanë penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrave zyrtare, pasi të njëjtit janë njoftuar lidhur me urdhëresën e trupit gjykues se seanca ka filluar dhe nuk mund të hyjnë në sallë.

Aktgjykimi është shpallur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Hanefi Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, të akuzuarit janë dënuar me tre muaj burgim, por me propozimin të avokatëve Fatos Zeqiri, Engjëll Rexhepi dhe Mensur Krasniqi, dënimi me burgim u është zëvendësuar me gjobë.

Gjithashtu, të njëjtit u obliguan secili veç e veç me pagesën e shpenzimeve të paushallit gjyqësor, në shumën prej 20 euro.

Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil.

Kundër këtij vendimi lejohet ankesa në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Fatmire Cacaj, të akuzuarit secili veç e veç u deklaruan fantor për veprën që u vihet në barrë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Arben, avokati Zeqiri ka kërkuar nga gjykata të zbatojë Kodin e ri Penal, se është më i favorshëm për të mbrojturin tij.

Po ashtu, i njëjti kërkoi që me rastin e shqiptimit dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese.

Mbrojtësi të akuzuarit Agron Gashi, Engjëll Rexhepi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ibrahim Hasimi, Mensur Krasniqi e kanë mbështetur fjalën e kolegut të tyre.

Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurorja Cacaj dhe më pas si e tillë u aprovua nga gjykatësi Hanefi Jashari.

Ndryshe, aktakuza e ngritur në gusht të 2018-ës, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkonte Arben Gashin, Agron Gashin dhe Ibrahim Hasimin se më 17 mars 2017 në Pallatin e Drejtësisë- Gjykata Themelore në Prishtinë kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktin akuzues thuhet se derisa në sallën e gjykimit ka filluar seanca përfundimtare lidhur me një rast, vrasje e rëndë dhe pasi që trupi gjykues merr vendim për mbylljen e derës për publik dhe fillimin e seancës gjyqësore kanë arritur familjarët e palës së akuzuar në atë rast.

Konkretisht të akuzuarit në këtë rast Gashi dhe Ibrahimi thuhet se nga zyrtarët policorë janë njoftuar lidhur me urdhëresën e trupit gjykues se seanca ka filluar dhe nuk mund të hynë në sallë.

Tutje, thuhet se të njëjtit janë revoltuar dhe kanë tentuar dhunshëm të hynë në sallë, duke kërcënuar dhe fyer zyrtarët policorë, ku për ta futur situatën nën kontroll organet e rendit është dashur të përdorin edhe sprej.

Për këto veprime, Arben Gashi, Agron Gashi dhe Ibrahim Hasimi akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, par.1 të Kodit Penal, vepër kjo e cila është e dënueshme me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë