Dënohen me 700 euro gjobë dy të akuzuarit se sulmuan të dëmtuarin me lopatë e shufër hekuri

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan – Fisnik Dragaçina u dënua me 500 euro gjobë, për akuzën se sulmoi të dëmtuarin me lopatë. Kurse, Shkëlqim Dragaçina u dënua me 200 euro gjobë, për akuzën se sulmoi të dëmtuarin me një shufër hekuri.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, Avdirrahman Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Gashi, të akuzuarit obligohen të paguajnë gjobën në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të kundërten dënimi më gjobë do të ju zëvëndësohet me dënim me burgim.

Të akuzuarit Dragaçina po ashtu,detyrohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale, dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro, si dhe 30 euro për fondin për mbrojtjen e viktimave të krimit.

Kurse, i dëmtuari Ferat Avdyli u udhëzua që kërkesën pasuroro-juridike ta realizojë në kontekst të rregullt civil.

Fisnik dhe Shkëlqim Dragaçina akuzohen se më 15 prill 2021, në tregun e rërës në Lipjan, pas një mosmarrëveshje të atëcastshme me të dëmtuarin Ferat Avdyli, e sulmojnë këtë të fundit, ashtu që i pandehuri Fisnik e godet me lopatë, kurse i pandehuri Shkëlqim me një shufër hekuri.

Në aktin akuzues thuhet se sulmi kishte ndodhur pasi i dëmtuari gjoja nuk i kishte treguar një pale të interesuar se posedonte bager për kryerjen e punëve sipas kërkesës së palës.

Me këtë thuhet se ata në bashkëkryrje kanë kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë më vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë