Dënohen me 4 mijë euro gjobë dhe 8 muaj burg se i shkaktuan dëm mbi 16 mijë euro Autoritetit Pyjor në Kamenicë

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të premten ka dënuar për korrupsion me 500 euro gjobë dhe 8 muaj burg, Skënder Fetiun, kurse me 3 mijë e 500 euro gjobë Kamer Lecin, për veprën penale “Veprimtaria e pandërgjegjshme ekonomike”.

Të akuzuarit Fetiu dhe Leci po ngarkohen se i shkaktuan dëm Autoritetit Pyjor në Kamenicë në vlerë prej 16 mijë e 712 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimi ndaj të akuzuarit Fetiu do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Ndërsa, dënimi ndaj Kamer Lecit duhet do të paguhet në afat prej 4 muajsh, pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 25 gusht 2020 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Skender Fetiu se i njëjti duke qenë në pozitën e personit zyrtar, roje pylli, pranë Autoritetit Pyjor në Kamenicë, e po ashtu i autorizuar edhe për kryerjen e shërbimeve lidhur me dhënien e fletë-përcjellësve për transportimin e masës drurore dhe përcjelljen e punimeve të firmës “Mirvete Leci-BI”, në Kamenicë, në ngastrën kadastrale nr.52, në territorin e fshatit Krilevë, Komuna e Kamenicës, i pandehuri nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e pyjeve, përkatësisht masës drunore, të prerë në ngastrën në fjalë.

Tutje thuhet se pas lajmërimit të kompanisë së përmendur se më 27 prill 2019, i ka ndërprerë punimet në këtë ngastër, e që pastaj për pasojë në ngastrën e përmendur, nga personat e panjohur janë marrë drunj në vëllim prej 130.016 m3, duke i shkaktuar me këtë autoritetit pyjor në Kamenicë dëm material në vlerë prej 16 mijë e 712 euro e 89 centë.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 2 të Kodit Penale dënueshme me gjobë dhe burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Kamer Leci, duke qenë në pozitën e të autorizuarit nga kompania “Mirvete Leci-BI”, në Kamenicë, për implementimin dhe mbikëqyrjen e punimeve në ngastrën kadastrale nr.52, në fshatin Krilevë, ku kompania në fjalë ka qenë në implementim të kontratës, për punimet në këtë ngastër, pas njoftimit nga kompania se i ndërpret punimet e mëtejshme në këtë ngastër, nuk ka vepruar sipas udhëzimit administrative nr. 06/2010 për mënyrën dhe procedurat e shitjes së trungjeve pyjore dhe asortimenteve drunore nga pyjet publike, përkatësisht nga nenit 9 të këtij udhëzimi, për të siguruar mos dëmtimin e pyjeve dhe masës drunore, derisa të bëhet pranim dorëzimi i punimeve në këtë ngastër nga një komision përkatës.

Në aktakuzë thuhet se pas ndërprerjes së punimeve nga subjekti në fjalë, personave të panjohur deri më tani i është mundësuar marrja e masës drunore në ngastrën e përmendur në vëllim prej 130.016 m3 me ç’rast Autoritetit Pyjor në Kamenicë i është shkaktuar dëm material në lartësinë prej 16 mijë e 712 euro e 89 centë.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “Veprimtaria e pandërgjegjshme ekonomike”, nga neni 279, paragrafi 1 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë