Dënohen me 4 mijë e 500 euro gjobë dy të akuzuarit se u rrahën mes vete

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, i ka shpallur fajtor D.B dhe B.K, pasi i ka gjetur fajtor për akuzat se i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore njëri-tjetrit.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Diana Sina, i akuzuari D.B është dënuar me 2 mijë euro gjobë, kurse i akuzuari tjetër B.K është dënuar me 2 mijë e 500 euro gjobë.

Sipas gjykatëses Sina, në rast se të akuzuarit nuk munden apo nuk dëshirojnë që t’i paguajnë gjobat, të njëjtat do t’iu zëvendësohen me burgim, duke ia llogaritur 20 euro një ditë burgim.

Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes kësaj gjykate.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 11 janar 2021, në rrugën “Ali Hasi” në Gjakovë, prapa parkingut të Qendrës Tregtare “Viva Fresh Store”, i akuzuari D.B i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit B.K.
Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që si rrjedhojë e një mosmarrëveshje të mëparshme që kishin mes vete, në ditën kritike posa takohen, shkëmbejnë shikime mes vete, e më pas i dëmtuari B.K i drejtohet të akuzuarit D.B me fjalët “eja me mua dhe të pimë kafe”, ashtu që i akuzuari D. i revoltuar del nga vetura dhe i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “pa ta q* nanën, s’kam me të lënë qetash”.

Në aktakuzë thuhet se më pas e sulmojnë fizikisht njëri-tjetrin, ashtu që i akuzuari D. e godet B. fillimisht me grushte në regjionin e qafës dhe më pas e kapë për gjoksi dhe e shtynë duke e rrëzuar për toke, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton lëndime trupore.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari B.K po akuzohet se ditën kritike të cekur si më lartë i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore D.B, ashtu që i njëjti e godet të dëmtuarin D. me grushte në pjesën e djathtë të fytyrës, në regjionin e nënmjekrës së anës së djathtë dhe në regjionin muror të dy anëve të kokës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 i Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prere

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë