Dënohen me 18 vjet e 2 muaj burgim tre të akuzuarit për rrahjen e një personi vitin e kaluar në Vushtrri  

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj tre të akuzuarve, Ferat, Betim dhe Lirim Mustafa, të cilët në tërësi u dënuan me 18 vite e 2 muaj burgim, për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”.

Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj, i cili konstatoi se gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale, nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndimi i rëndë trupor”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari i parë Ferat Mustafa u dënua me 6 vite e 6 muaj burgim, i akuzuari i dytë Betim Mustafa me 5 vite e 6 muaj burgim, ndërsa i akuzuari i tretë Lirim Mustafa me 6 vite burgim, të cilat dënime do të ekzekutohen pas marrjes së plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndërsa, gjykata me vendim të veçantë të akuzuarve u ka vazhduar masën e paraburgimit deri pas arritjes së plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Koha e kaluar në masën e paraburgimit, nga data 25 gusht 2021 e deri kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, të akuzuarve do të iu llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.

Tutje, të akuzuarit u obliguan që secili veç e veç të paguajnë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 50 euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro, dhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

Ndërsa, pala e dëmtuar Remzi Hasani, për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest civil.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj konstatoi se në shpalljen fajtor të të akuzuarve gjykata është bazuar në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përkatësisht në dëgjimin e të dëmtuarit-dëshmitarit si dhe në dëgjimin e një dëshmitari tjetër.

Tutje u konstatua se vendimi është bazuar edhe në provat pamore të video-incizimeve të vendit të ngjarjes.

Gjyqtari Hajraj njoftoi se palët kanë të drejtë që në afat prej 15 ditësh nga dita kur e marrin aktgjykimin, të paraqesin ankesë në gjykatën e shkallës së dytë kundrejt këtij vendimi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Ferat, Betim dhe Lirim Mustafën, sepse me datë 25 gusht 2021 rreth orës 13:00 në Vushtrri në parkingun e marketit “ETC”, me marrëveshje paraprake me dashje kanë filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit Remzi Hasani, e të cilën nuk e kanë përfunduar.

Sipas aktakuzës, rasti kishte ndodhur në atë mënyrë që pas një zënke që i dëmtuari Remzi kishte pas rreth orës 10:00 të së njëjtës ditë në fshatin Reznik me fëmijët e familjes së të pandehurve, ku i dëmtuari ishte duke lëvizur me veturën e tij Renault, i njëjti kishte pretenduar se ishte bllokuar rruga nga lopët e këtyre fëmijëve.

Tutje, rreth orës 13:00 tre të pandehurit me pretekstin se ishin ofenduar nga i dëmtuari, të njëjtin e përcjellin duke shkuar me veturën e tyre Passat deri tek marketi “ETC”, ku aty pasi që i dëmtuari del nga marketi, mu përpara hyrjes, i pandehuri Ferat në mënyrë të befasishme e godet nga prapa me grusht disa herë në kokë të dëmtuarin, ku pastaj bashkëngjitën edhe dy të pandehurit tjerë Betim dhe Lirim Mustafa.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, që të tre e godasin nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin, duke e rrëzuar për toke. I pandehuri Lirim me shufër metalike e godet në pjesë të ndryshme të trupit dhe në kokë, pastaj i pandehuri Ferat ja merr nga dora shufrën metalike të pandehurit Lirim dhe vazhdon ta godas nëpër trup dhe e shqelmojnë për së shtriri, e godasin në kokë dhe pjesë tjera të trupit.

Duke qenë se i njëjti nuk po lëvizte, të pandehurit të bindur se e kanë privuar nga jeta largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë transferohet në QKUK në Prishtinë ku rezulton se i njëjti ka pësuar: frakturë multifragmentare të parakrahut të majtë S52, thyerje të nervit median dhe redial të dorës, gjakderdhje dhe prania e ajrit në mes kraharorit dhe indit mushkëror në pjesën e pleurës të anës së djathtë S27.2PPT, frakturë serike të brinjëve IV, V, VI djathtas, frakturë të shpatullave në të dy anët, frakturë e zgjatimit transverzal të vërtebrave, majtas L1, L2, dhe L3, hematome nënlëkurore të shumta në trup.

Me këtë kanë kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par 1 nën par. 1.4 lidhur me nenin 28 e 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë