Dënohen dy vëllezërit që pranuan se i ikën tatimit për mbi 500 mijë eurot e fituara përmes lojërave online në Arabinë Saudite

aaa
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Dhjetor 13, 2019

Prishtinë – Të premten, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dy vëllezërit e akuzuar për shmangie nga tatimi, Fidan dhe Liridon Sokoli, i ka dënuar me kusht dhe me gjobë, pasi të njëjtit e kishin pranuar fajësinë.

Fidan Sokoli akuzohet se nuk e kishte deklaruar shumën prej 531,735.99 euro e fituar përmes lojërave online në Arabinë Saudite dhe të ardhurat nga biznesi, duke bërë shmangie nga tatimi në vlerë 51,380.97 euro, ndërsa i akuzuari Liridon Sokoli, nuk e kishte deklaruar qarkullimin në shumën prej 29,660.51 euro, duke shmangur tatimin në vlerë 2,585.64 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fidan Sokoli ,është dënuar me 3.500 euro gjobë, si dhe me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai brenda periudhës prej dy vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Ndërsa, i akuzuari Liridon Sokoli është dënuar me 1.000 euro dhe dënim me gjashtë muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda periudhës prej një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj, nëse të akuzuarit gjatë kohës së verifikimit të dënimit me kusht kryejë ndonjë vepër tjetër penale, atëherë të njëjtëve dënimi me kusht do t’iu zëvendësohet në dënim me burgim efektiv.

Dy të akuzuarit janë obliguar t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës, 50 euro për paushall  gjyqësor dhe 50 euro për kompensim të viktimave të krimit.

Për shkak se të akuzuarit i kishin kryer obligimet ndaj ATK-së, ata kishin deklaruar se heqin dorë nga kërkesa pasurore juridike.

Sipas gjykatëses Musliu-Selimaj gjykata me rastin e matjes së dënimit kishte marrë për bazë rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve.

Ndryshe, në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur me 10 dhjetor 2019, dy të akuzuarit kishin pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzoheshin.

Sipas aktakuzës së ngritur me 2 shtator 2016, në periudhën prej 2011-2014, i akuzuari Fidan Sokoli me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i kishte përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e fituara përmes lojërave online në Arabinë Saudite dhe të ardhurat nga biznesi.

Edhe pse i njëjti kishte qenë i obliguar që të ardhurat ti deklarojë në Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ai nuk kishte deklaruar shumën prej 531,735.99 euro, duke bërë shmangie nga tatimi në vlerë 51,380.97 euro.

Ndërsa, i akuzuari Liridon Sokoli, nuk e kishte deklaruar qarkullimin në shumën prej 29,660.51 euro prej vitit 2011 e deri në 2014, duke shmangur tatimin në vlerë 2,585.64 euro.

Në arsyetim të aktakuzës thuhet se nga Raporti i Inteligjencës Financiare të Kosovës ishte vërtetuar se nga Arabia Saudite, personi i quajtur Sheik Abdul Kareem ishin transferuar shuma prej 499,887.00 euro në emër të të akuzuarit Fidan Sokoli, fonde këto shumë të dyshimta, të cilat ky i fundit i kishte tërhequr disa shuma prej këtyre fondeve.

Aty thuhet se për shkak të dyshimit se të akuzuarit kishin kryer veprën penale të shmangies nga tatimi, Administrata Tatimore e Kosovës, kishte bërë kontroll detale dhe kishte analizuar të gjitha transaksionet dhe me 3 gusht 2015, kishte dorëzuar një raport final ku kishte konstatuar se të akuzuarit i ishin shmangur tatimit dhe kontributeve tjera të përcaktuara me ligj.

Prokuroria Speciale dy të akuzuarit Sokoli i ngarkonte me veprën penale “shmangie nga tatimi”. /BetimipërDrejtësi