Dënohen dy të akuzuarit për uzurpim prone, njëri prej tyre i drejtohet gjykatësit me fjalët “e paskeni kënaq valla”

Lavdim Bajraktari - Rasti Agim Bajrami etj. - 08.11.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Nëntor 8, 2018

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, i ka shpallur fajtor dy të akuzuarit për veprën penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme, Agim Bajrami dhe Arafat Budakova.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Rrustem Begolli, i akuzuari Bajrami u dënua me nëntë muaj burgim efektiv kurse i akuzuari Budakova me gjashtë muaj burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, dy të akuzuarit, gjykata i obligojë që të lirojnë edhe pronën e uzurpuar e cila gjendet në Fushë Kosovë, një sipërfaqe të përgjithshme, oborr dhe shtëpi prej 5.85 ari.

Palët e dëmtuara në këtë rast, Bajram dhe Shaip Bajrami, për realizmin e kërkesës pasurore juridike u udhëzuan në kontest civil.

Pas shpalljes së aktgjykimit, reagoi i akuzuari Agim Bajrami, i cili gjykatësit Begolli iu drejtua me fjalët “e paskeni kënaq valla”.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Agim Bajrami në dhjetor të 2013, pasi që fillimisht e kishte siguruar marrëveshjen kreditore midis Bankës Ekonomike dhe kompanisë “Ari Xon” që përfaqësohet nga i pandehuri Agim Bajrami si huamarrës, e ku figuron edhe nënshkrimi i Bajram Bajramit, babait të të pandehurit, pronën e njëjtë ia kishte dhënë në shfrytëzim personit të tretë, Arafat Budakovës.

Këtë veprim, i pandehuri sipas prokurorisë e kishte bërë pa njohurinë e prindit e as të dy vëllezërve të tij, që njëkohësisht janë pronar të pronës në fjalë.

Qiranë nga prona në fjalë, sipas aktakuzës, i pandehuri e ka realizuar vet.

Me këtë veprim, sipas prokurorisë, i pandehuri Bajrami ka kryer veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.

Për veprimet e njëjta, prokuroria akuzon edhe Arafat Budakovën, pasi siç thuhet në aktakuzë, i njëjti kishte lidhur kontratë për qira me të pandehurin Bajrami, për shfrytëzimin e pronës në fjalë, dhe pasi që këtë e kanë kuptuar të dëmtuarit, Budakova nuk ka dashur fare të kontaktoi me palët e dëmtuara. /Betimipërdrejtësi