Dënimi me burgim i zëvendësohet në gjobë të akuzuarit për shmangie nga obligimet doganore

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Shkurt 7, 2019

Vushtrri – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, të enjten, ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me gjashtë muaj burg efektiv dhe me tre mijë euro gjobë të akuzuarin për shmangie nga obligimet doganore për 67 automjete, Ferki Preshtreshin.

Mirëpo, me kërkesën e të pandehurit dënimin me burgim, gjykata ia ka zëvendësuar me dënim me gjobë  në shumë prej  katër mijë euro.

Pas zëvendësimit të dënimit, i pandehuri Preshtrshi, obligohet të paguajë shumën në total prej shtatë mijë euro.

Po ashtu, ai është obliguar nga gjykata që për kompensimin e viktimave të paguajë shumën prej 30 euro si dhe për paushall gjyqësor të paguajë shumën në vlerë prej 30 euro.

Lidhur me shqiptimin e dënimit, gjykatësi i rastit, Agron Maxhuni, ka deklaruar se si rrethanë lehtësuese ka marrë faktin se i pandehuri është mbajtës i familjes dhe bashkëpunimin e tij me gjykatën, ndërsa si rrethanë rënduese rrezikimin e të mirës së përgjithshme.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 24 mars 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ferki Preshtreshit.

Sipas aktakuzës, me 23 maj 2016, në Vushtrri, në autosallonin D.P.Z “FERKI”, pronë e të pandehurit Preshtreshi, ishin gjendur  67 automjete për të cilat nuk ishin kryer obligimet doganore dhe pronari nuk kishte poseduar asnjë dokument për to.

Siç thuhet në aktakuzë, shmangien që kishte bërë i pandehuri pa taksa ishte në shumën prej 96 mijë e 254 euro, ndërsa shmangien nga taksa e përgjithshme në vlerë prej 124 mijë e 617 euro.

Me këtë, sipas prokurorisë i pandehuri ka kryer veprën penale “shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318 par 3 i Kodit Penale të Republikës së Kosovës.