Dënimi me burg i zëvendësohet me gjobë të akuzuarit për kontrabandim të barnave nga Turqia në Kosovë

Gjykata 1 (1)
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Mars 13, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ilir Blakaj, i akuzuar se ka kontrabanduar barna mjekësore nga Turqia për në Kosovë, duke aprovuar kështu marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur mes atij dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, në seancën dëgjimore të mbajtur të mërkurën është shqyrtuar dhe aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë e lidhur më 26 korrik të vitit 2018, ndërmjet të akuzuarit Blakaj, mbrojtësit të tij, avokatit Ali Kryeziu dhe prokurorit Naim Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e çështjes, Lumnije Krasniqi, të akuzuarit Blakaj, i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej katër muajsh.

Por, një dënim i tillë, është zëvendësuar në dënim me gjobë në lartësi prej 3600 euro, të cilën i akuzuari obligohet ta paguajë brenda afatit prej një muaji nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, dhe kjo bazuar në marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur mes palëve.

Po ashtu, gjykatësja Krasniqi, e ka njoftuar të akuzuarin Blakaj, se në rast të mos pagimit të gjobës brenda afatit të përcaktuar, ndaj tij do të ekzekutohet dënimi me burgim i shqiptuar si më lartë.

Në emër të paushallit gjyqësor, i akuzuari obligohet të paguajë shumën prej 30 euro, brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë e këtij aktgjykimi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 27 korrik 2018, Ilir Blakaj akuzohet se në periudhën janar 2018 e deri më 28 maj 2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, është hasur duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe leje përkatëse.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë një kontrolli të kryer nga Dogana e Kosovës, ai akuzohet se ka kontrabanduar mallra, barna mjekësore, duke i sjell nga Turqia në territorin e Kosovës e më pastaj i ka shpërndarë në mënyrë ilegale nëpër disa spitale private në Kosovë, me ç’rast ka dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Ilir Blakaj, se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me mallra”, e sanksionuar me nenin 317 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi