Dënimi i Pal Lekajt për korrupsion dhe të tjerëve, gjykata nuk ia fali besimin dy ekspertizave financiare

Pal Lekaj
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 8, 2021

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, më 19 shkurt të këtij viti, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë kohës sa ka qenë në krye të komunës në fjalë.

Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, me anëtarët e trupit gjykues, Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, i akuzuari Lekaj është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe të akuzuarit tjerë, përkatësisht ish-zyrtarët tjerë të komunës, Gani Rama dhe Ismet Isufi janë dënuar me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Gani Rama është dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa Ismet Isufi me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht.

Në aktgjykim thuhet se dënimet me burgim ndaj të akuzuarve të lartcekur nuk do të ekzekutohen, nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 2 vitesh për secilin.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi gjykata kishte shqiptuar dënimin unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimin me burgim me kusht prej një 1 viti.

Trupi gjykues kishte shqiptuar edhe denim plotësues ndaj të akuzuarve Gani Rama, Ismet Isufi dhe Pal Lekaj, që përfshinë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Katër të akuzuarit gijthashtu janë obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69,786 euro, në afat prej një viti, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjithashtu, gjykata e ka detyruar të akuzuarin Veli Hajdaraga që t’ia kompensojë ATK-së shumën prej 21, 283 euro në emër të tatimit të papaguar dhe në emër të kontributeve personale shumën prej 3,435.48 euro, të gjitha në afat prej një viti nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në arsyetimin e aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata pas analizimit të të gjitha provave të shqyrtuara në shqyrtim gjyqësor dhe analizimit të tyre një nga një, e pastaj në lidhje me njëra tjetrën, ka vërtetuar gjendjen faktike si në dispozitivat e këtij aktgjykimi.

“Nga dëgjimi i dëshmitarëve, fermerëve të cilët janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve shumica prej tyre kanë deklaruar se nuk posedojnë tokë bujqësore, kanë qenë në listat përfituese por të njëjtit fare nuk kanë pranuar subvencione, farë dhe pleh artificial, ku shumica e tyre kanë deklaruar që fare nuk kanë aplikuar për subvencione, disa prej tyre kanë deklaruar se as që posedojnë tokë bujqësore dhe për këtë janë informuar kur janë marrë në pyetje nga ana e zyrtarëve policor, shumica e tyre kanë deklaruar se nënshkrimet që u janë prezentuar nga policia dhe gjykata që gjenden në listën e përfituesve që kinse kanë marrë subvencione këto nënshkrime nuk janë të tyre dhe as që kanë pranuar subvencione dhe se dikush ka marrë shënime në komunë, i kanë marrë letërnjoftimet e tyre dhe kanë aplikuar në emër të tyre edhe në listën e përfituesve kanë nënshkruar emrat e tyre e në realitet fare nuk kanë marrë subvencione dhe nuk janë nënshkrimet e tyre. E kjo është vërtetuar nga dëshmia e dëshmitarit Hekuran Hoda, i cili ka deklaruar se posedon tokë bujqësore në sipërfaqe prej 9 hektarësh si dhe ka tokë me qira dhe se i njëjti ka marrë letërnjoftimet nga të afërmit e tij dhe në emër të tyre ka marrë subvencione duke parashtruar kopjet e letërnjoftimeve të tyre. Po ashtu nga dëgjimi i dëshmitarit Shemsedin Shala është vërtetuar se i njëjti si përfaqësues i fshatit Rogovë ka nënshkruar në listën e pëfituesve për 10-15 veta, edhe pse ata nuk kanë qenë prezent gjatë shpërndarjes së subvencioneve.”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Pal Lekaj ka pasur përgjegjësi sipas deyrës zyrtare të kujdeset, mbikëqyrë dhe kontrolloi menaxhimin e parasë publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I akuzuari Pal Lekaj, në cilësinë e personit zyrtar si zyrtarë kryesor administrative, i cili ka pasur përgjegjësi sipas detyrës zyrtare që të kujdeset, të mbikëqyrë, kontrolloi menaxhimin e parasë publike konform Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, të vendos kontroll të brendshëm në Organizatën Buxhetore dhe përgjegjësia e tij individuale është se ka marrë vendime për ndarjen e subvencioneve dhe në ekzekutimin e pagesave dhe atë në pesë rastet nga programi buxhetor i Zyrës së Kryetarit, nga kategoria e subvencioneve edhe pse në atë kohë ka munguar rregullorja ku do të përcaktoheshin kriteret për ndarjen e subvencioneve, para se të merret vendimi për ndarjen e tyre, i njëjti nuk është kujdesur mjaftueshëm për ndarjen me kohë të mjeteve nga buxheti me destinim për subvencione në bujqësi, i njëjti ka nënshkruar pesë urdhërpagesa nga programi i subvencioneve, gjegjësisht tre nga programi I zyrës së kryetarit (Kodi Buxhetor 300), dhe dy nga programi i Drejtorisë për Bujqësi (Kodi Buxhetor 301), të cilat urdhër pagesa gjenden në shkresa të lëndës dhe janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.”, thuhet në aktgjykim.

Sa i përket të akuzuarit Gani Rama, thuhet se detyra e tij si zyrtar kryesor financiar ka qenë që para se të bëhen pagesat kompanisë “Union-VL” të shikojë a është dokumentacioni i rregullt dhe ai si zyrtar kryesor financiar, ka pasur për obligim që të ndaloi pagesat dhe t’i kthejë organizatës, drejtorisë përkatëse, që këto mangësi të eliminohen.

Gjykata ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit Ismet Isufi, avokatit Bajram Morina, i cili pretendon se në këtë çështje penale ka ardhur deri tek parashkrimi absolut i ndjekjes, pasi që gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës është vërtetuar se pagesat e fundit të subjektit “Union-VL” është bërë me datë 18 shtator 2014, andaj këto pretendime të mbrojtjes janë të pabazuara.

Sa i përket të akuzuarit Veli Hajdaraga, thuhet se i njëjti në cilësi të pronarit të subjektit “Union-VL” ka zhvilluar aktivitetin përmes dyqanit bujqësor në Gjakovë dhe i njëjti në periudhën 2008-2010 ka furnizuar fermerë me farë të grurit, farë të misrit dhe pleh artificial, duke mos pasur fare kontratë apo marrëveshje në formë të shkruar, por i njëjti ka pasur vetëm marrëveshje gojore me pëgjegjësit e Drejtorisë për Bujqësi. Tutje, thuhet se i njëjti sipas marrëveshjes gojore ka pranuar listat e përfituesve të subvencioneve të përpiluar nga ana komunës dhe i njëjti ka bërë shpërndarjen e subvecioneve nga dyqani i tij dhe në shumicën e rasteve, pa prezencën e anëtarëve të komisionit, duke e ditur se të gjithë personat e nënshkruar në formularë mbi pranimin e subvencioneve nuk kanë pranuar subvecnione, ka lejuar që në emër të fërmerëve që kanë qenë në lista të pranon subvencione personat të cilët nuk kanë pasur të drejtë dhe me këto veprime ka bërë mashtrim lidhur me subvencione. Në aktgjykim thuhet se kështu ka dhënë informacione të pasakta dhe jo të plota organeve kompetente, komisionit për pranim dorëzim të subvencioneve, ka parashtruar faturat për kompensim me ç’rast komuna i ka shlyer në tërësi të gjitha detyrimet por me vonesa të konsiderueshme.

Gjykata nuk ia ka falur besimin ekspertizës së ekspertit financiar Riza Blakaj si dhe ekspertizës së grupit të ekspertëve financiar të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Rrustem Asllanaj, Driton Balaj dhe Arbër Hoti, ku në mendimet e tyre përfundimtare kanë konstatuar se në rastin konkret nuk kemi dëm material, mirëpo e ka pranuar në tërësi ekspertizën e ekspertit financiar Qazim Hoxha.

“Ekspertizat e tyre janë në kundërshtim me aktin zyrtar “Njoftimin të punuar nga drejtori për bujqësi, Bekim Ermeni, i datës 08.03.2016, për nevojat e policisë dhe prokurorisë, ku sipas kërkesës për informacion të datës 03.02.2016, ku rezulton se numri i fermerëve aplikatë është i barabartë me numrin e fermerëve përfitues dhe se ky fakt e bën të paqëndrueshëm diferencën e përllogaritur prej 253 përfituesve të subvencioneve e të cilat në ekspertizën e ekspertit Qazim Hozha janë konsideruar si pagesa të pa mbuluara në shumën prej 69,786 euro, për të cilat nuk është theksuar se kush janë ata përfitues ngase konstatimi i ekspertit është në kundërshtim të plotë me dëshmitë e dëshmitarëve fermerë që janë marrë në pyetje, e ku shumica e tyre kanë deklaruar se nuk kanë marrë subvencione edhe pse kanë qenë në listën e përfituesve andaj këtë konstatim të eskpertit gjykata e ka refuzuar si të pabazuar, por e ka pranuar në tërësi ekspertizën e ekspertit Qazim Hoxha ku në konstatimin e tij ka konstatuar se bazuar në ekzaminimin e provave shkresore, përkatësisht listave të shpërndarjes së artikujve në terren që i kemi në dispozicion vlerësojmë se të pandehurit me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në vlerë prej 69,786 euro.”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata nuk ia ka falur besimin as raportit final të ATK-së sa i përket shmangies së tatimit nga ana e të akuzuarit Veli Hajdaraga, që ishte në shumën prej 35,350 euro, mirëpo lidhur me këtë pjesë ia ka falur besimin ekspertizës plotësuese të ekspertit financiar Riza Blakaj dhe grupit të ekspertëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, në lidhje me llojin dhe lartësinë e dënimit, thuhet se janë marrë për bazë të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, mirëpo se gjykata nuk ka gjetur asnjë rrethanë rënduese, derisa rrethanat lehtësuese që janë marrë për bazë janë se janë mbajtës të familjeve, qëndrimet korrekte gjatë gjykimit, fakti që më parë nuk kanë qenë të dënuar dhe që nga koha e kryerjes së veprave penale kanë kaluar 9 vite.

Ndryshe, në gusht të vitit 2019 lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema, që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.

Kjo është hera e dytë që rasti ndaj të akuzuarit Rama është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, atë dy herë e kishte liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata e Apelit rastin ndaj të akuzuarit Rama e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjakovë, me aktgjykimin e 9 shkurtit të vitit 2018, e kishte liruar përsëri nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2018, e ka kthyer rastin përsëri në rigjykim, duke e aprovuar kështu ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka mbështetur tërësisht në mendimin e ekspertit financiar, mirëpo sipas Apelit, eksperti nuk ka dhënë mendim të qartë dhe konkret lidhur me pozitën që ka mbajtur dhe kompetencat që ka ushtruar i akuzuari Rama.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 26 maj 2016, Gani Rama, po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.

Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta.

Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të jetë 218.956.67 euro.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve e kishte ngritur më 10 prill 2016.

Para se aktakuza pjesërisht të hudhej poshtë, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, subvencionet janë autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.

Ndërsa, të pandehurit Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, akuzohen se duke e qenë në cilësinë e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve, kanë përpiluar raporte se kinse shpërndarje në teren e subvencioneve është bërë ashtu siç duhet, megjithëse rreth 40% e aplikuesve nuk kanë pranuar subvencionet.

Gjashtë të pandehurit akuzohen se me këto veprime, në periudha të ndryshme nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.

I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.

Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato.

Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, në mars të vitit 2019, e kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të marr me 10 janar 2019, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), me të cilën aktakuzë, Lekaj dhe Isufi akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kurse Hajdaraga për mashtrim në subvencione dhe shmangie nga tatimi.

“Gjykata e Apelit, njësoj si gjykata e shkallës së parë, konsideron se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për hudhjen e aktakuzës dhe se provat që i janë bashkëngjitur asaj nga ana e Prokurorisë, janë të pranueshme. Qëndrueshmëria e tyre do të vërtetohet në seancën e shqyrtimit kryesor, ndërsa në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët”, thuhej në komunikatën e Apelit.

Po ashtu, Gjykata e Apelit kishte refuzuar si të pabazuar edhe ankesën e prokurorisë në raport më të akuzuarit tjerë të këtij rasti, Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini, Dafina Thaqi, të cilët akuzoheshin për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndaj të cilëve shkalla e parë kishte hudhur poshtë aktakuzën.

Ndryshe, edhe në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Apelit kishte vendosur në lidhje me ankesat e mbrojtësve në këtë rast.

Kështu, Apeli e kishte kthyer në rivendosje rastin ndaj Lekajt dhe të tjerëve për sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën pikë, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme kur e kishte konfirmuar akuzën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ndaj të akuzuarve dhe kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të tyre.

Kurse, sa i përket veprës tjetër të përvetësimit në detyrë, për të cilën edhe Themelorja kishte hudhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën gjë e kishte vërtetuar edhe Apeli.

Ish-kreu i Komunës së Gjakovës Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 31 maj të vitit 2018. /BetimipërDrejtësi