Dënimi i korrupsionit si kundërvajtje (Emisioni i plotë)

Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Maj 1, 2021

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” ku është trajtuar tema “Dënimi i korrupsionit si kundërvajtje”.

Lufta kundër korrupsion vazhdon të mbetet njëra prej problemeve kryesore në shoqërinë kosovare. Mungesa e rezultateve të sistemit të drejtësisë në këtë fushë, ka krijuar në publik perceptimin se korrupsioni në Kosovë, është dukuri e amnistuar.

Në drejtim të luftimit të korrupsionit, janë miratuar shumë ligje dhe strategji, derisa gjatë fushatës elektorale të vitit 2019 dhe 2021, korrupsioni ka qenë kryefjala e diskursit publik. Prapë se prapë, rezultatet mungojnë. Kosova nuk ka asnjë person të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv për korrupsion.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar hulumtimin “Dënimi i korrupsionit si kundërvajtje”, i cili raport është rezultat i monitorimit të 744 seancave të korrupsionit të cilat përbëjnë 240 rasteve të korrupsionit, në të cilat përfshihen 643 të akuzuar.

Gjatë vitit 2020, lufta kundër korrupsionit është fokusuar pothuajse në mënyrë ekuivalente ndaj profilit të mesëm dhe të ulët, derisa shumë më pak është fokusuar në profilit e lartë. Sipas raportit të IKD-së, nga 643 personat e akuzuar për korrupsion, 290 prej tyre i përkasin profilit të mesëm, 286 i takojnë profilit të ulët derisa vetëm 67 persona i takojnë profilit të lartë.

Sa i përket ngritjes së aktakuzave, Prokurori i Shtetit gjatë vitit 2020 ka njoftuar për ngritjen e 9 aktakuzave për korrupsion, derisa ekipi i monitoruesve të IKD-së ka evidentuar edhe pesë (5) aktakuza të tjera për korrupsion që janë ngritur gjatë vitit 2020. Sipas raportit të IKD-së, pozitat zyrtare të personave ndaj të cilëve janë ngritur aktakuzat, përfshijnë gjykatës, zyrtarë komunalë, zyrtarë në ministri, zyrtarë në agjenci, zyrtarë në KEDS e KEK, zyrtarë policorë dhe persona tjerë, kryesisht të nivelit të mesëm dhe të ulët.

Për të gjitha këto edhe më shumë  ndiqeni emisionin e plotë./BetimipërDrejtësi