DËNIM ME KUSHT PREJ 6 MUAJSH, PËR SHKAK TË RRAHJES

Raporton: Lutfi MORINA

Gjakovë – Arbios Ukshini është dënuar me kusht prej gjashtë muajsh, nëse brenda prej një viti, nuk kryen vepër të re penale për shkak të veprës penale të lëndimit të lehtë trupor që ia kishte shkaktuar Ferid Kurhaskut, duke e goditur me dru.

Në seancën e së enjtës, prokurori Ramiz Buzhala, e ka lexuar aktakuzën me të cilën e akuzon Arbios Ukshinin se gjatë verës së vitit 2014, pas një konflikti të mëparshëm, me anë të rrjetit social “Facebook” rreth përleshjeve me qen, në fshatin Cërmjan, i kishte dalë në pritë të dëmtuarit Ferid Kurhasku dhe e kishte goditur me dru, në shpinë dhe dorë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

I akuzuari Ukshini e ka pranuar fajësinë dhe para gjyqtarit ka deklaruar se është penduar dhe se nuk do ta përsërisë më një gabim të tillë.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Mentor Bajraktari, për shkak të pranimit të fajësisë dhe pendimit, i ka shqiptuar të akuzuarit dënimin me kusht prej gjashtë muajsh, nëse brenda periudhës së verifikimit prej një viti, nuk kryen vepër të re penale. Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, është udhëzuar në kontest civil.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë