Dënim me kusht për të akuzuarin që pranoi se me veturë kishte goditur murin e një dyqani

Pallati 9
Author

Raporton: Egzon HALILI

Tetor 10, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me tetë muaj burgim me kusht të akuzuarin për ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur, Afrim Krasniqi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Alban Ajvazi, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet dënimi me burgim nëse nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, i akuzuari Krasniqi është ngarkuar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 30 euro, kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro, për ekspertizën mjekoligjore në shumën prej 30 euro, si dhe ekspertizën e komunikacionit rrugor në shumën prej 40.88 euro.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Gjykatësi Ajvazi bëri të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, i akuzuari Krasniqi kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2019.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 prill 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj Afrim Krasniqi për veprën penale “ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur” nga 379 par.2 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 7 shkurt 2015, në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, në fshatin Mazgit, i akuzuari shkel Ligjin për Siguri në Komunikacionin Rrugor (neni 227.1 të LSKRR-së), në atë mënyrë që duke drejtuar automjetin e markës “Opel Zafira”, nga pakujdesia duke menduar me mendjelehtësi se deri te aksidenti nuk do të vijë, ka rrezikuar komunikacionin dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Sipas aktakuzës deri te ky aksident ka ardhur si pasojë e ndikimit të alkoolit te ngasësi, si dhe mos përshtatja e shpejtësisë së automjetit, i akuzuari Krasniqi ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka goditur murin e marketit  “Joni Market”, ku janë shkaktuar dëme materiale si dhe lëndime trupore, ku në test-alkoolin e bërë nga ana e policisë i akuzuari kishte 0.71 gr/lit, në këtë aksident lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme kanë pësuar tre pasagjerë, si dhe vet i akuzuari. /BetimipërDrejtësi