Dënim me kusht për të akuzuarin që pranoi se kanosi të dëmtuarin rreth kullotjes së bagëtive

Viti
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Shtator 10, 2019

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim me kusht, pasi që i akuzuari për kanosje, Zeqir Imeri, ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar.

Sipas gjykatësit Nexhat Aliu, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Aliu, tha se i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale, në shumën totale prej 30 euro.

Paraprakisht, në seancën e së martës, i akuzuari Imeri, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer, dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që më rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh gjendjen ekonomike, dhe faktin  është pensionist dhe nuk ka të ardhura tjera, si dhe i ka premtuar gjykatës që në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm dhe nuk do të përsërisë këto veprime.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja, Kujtesa Fazliu.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 27 nëntor 2018, Zeqir Imeri, akuzohet se më 10 nëntor 2018, rreth orës 13:00, në fshatin Sllatinë e Epërme, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, ka kanosur seriozisht me  fjalë  të dëmtuarin Bajrush Imeri.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje paraprake rreth kullotjes së bagëtisë, me ç’rast i akuzuari fillimisht e fyen me fjalë të ndryshme ofenduese të dëmtuarin, e më pas e kanos me fjalët “nëse shkon ti me lavru arën e Agimit, unë ose  kom me të vra ose kom me  të plagu”.

Në këtë mënyrë, siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri me veprimet e tij, tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë , ankth, dhe pasiguri për jetë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje”, nga neni 185, paragraf 2, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi