Dënim me kusht për dy të akuzuarit që pranuan fajësinë për lëndim të lehtë trupor

20210113_115816(0)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Janar 13, 2021

Istog – Nga gjashtë muaj burgim me kusht ka shqiptuar Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ndaj të akuzuarve për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, Rrahman Ganaj dhe Rrahim Ganaj.

Por, këto dënime nuk do të ekzekutohen nëse në periudhë verifikuese prej një viti, të pandehurit nuk kryejnë vepra të tjera penale, raporton  “Betimi për Drejtësi”.

Të pandehurit, po ashtu janë obliguar që secili veç e veç, të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 80 euro në total, ndërsa i dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur nga gjykatësi Arben Mustafaj, pasi që paraprakisht të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për veprën penale më të cilën ngarkohen sipas aktakuzës.

I pandehuri Rrahman Ganaj, ka shpreh keqardhje për rastin, duke i premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të bie ndesh më me ligjin.

“E vërteta është që kam qenë i nxitur nga i dëmtuari, pasi që ai fillimisht na ka zënë rrugën dhe mua personalisht i njëjti më ka goditur i pari me këmesë”, ka thënë Rrahman Ganaj.

Edhe i pandehuri, Rrahim Ganaj, ka shpreh keqardhje për rastin, duke premtuar se në të ardhmen nuk do të bie ndesh më me ligjin.

“Po është i vërtetë rasti, por dua të shtoj se edhe mua më ka goditur i dëmtuari me boks në fytyrë”, ka deklaruar i pandehuri Rrahim.

Prokurori Arben Hoti nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga e të pandehurve, duke kërkuar nga gjykata, që me rastin e marrjes së vendimit, të pandehurve pranimi e fajësisë t’u merret si rrethanë lehtësuese.

“Po ashtu përveç rrethanave lehtësuese, i propozoj gjykatës që të vlerësoi edhe rrethanat rënduese, siç janë: shkalla e lartë e dashjes dhe mosha e viktimës”, ka thënë prokurori Hoti.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Pejë, më 16 dhjetor 2020, ka ngritur aktakuzë kundrejt të pandehurve Rrahman Ganaj dhe Rrahim Ganaj, duke i akuzuar që në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit më 12 qershor 2020, rreth orës 10:30 minuta, në fshatin Kosh të Komunës së Istogut, pikërisht në vendin e quajtur “Oprashk”, me dashje i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme në shëndet, të dëmtuarit Petko Miletiq.

Në aktakuzë thuhet se, përderisa i dëmtuari i ka vërejtur dy të pandehurit duke shkuar me qerre-kali në pyllin e tij, iu ka dalur përpara në rrugë me traktor, në mënyrë që t’i ndaloj të pandehurit që mos t’i vjedhin pyllin.

Aty thuhet, se pas kësaj ka filluar një zënkë mes tyre, me ç’rast dy të pandehurit e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin, duke e goditur me grushte dhe shqelma në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. /BetimipërDrejtësi