Dënim me kusht për drejtorin e shkollës së Gradicës për kanosjen e drejtorit të Arsimit në Drenas

Drenas
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Janar 20, 2020

Drenas – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me gjashtë  muaj burg me kusht, të akuzuarin për kanosje, Hajriz Fazliu.

Dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet, nëse ai në afat prej një viti, nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai është ngarkuar me paushallin gjyqësor në shumë prej 50 euro, si dhe taksën për Programin e Kompensimin Viktimave të Krimit në shumë prej 30 euro.

Kurse, i dëmtuari Tafil Halilaj, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Aktgjykimi është shpallur të hënën, nga gjykatësi i rastit Shefqet Baleci,

Prokuroria Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, më 23 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Hajriz Fazliu, të cilin e ngarkon me veprën penale “kanosje”, nga neni 185 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 15 mars 2019, rreth orës 15:00, në zyrën e drejtorit të Arsimit të Komunës së Drenasit, i pandehuri Hajriz Fazliu, e ka kanosur seriozisht personin zyrtar, tani të dëmtuarin Tafil Halilaj, lidhur me punën e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri paraqitet në zyrën e të dëmtuarit për të raportuar si drejtor i Shkollës së Mesme së Ulët në fshatin Gradicë të Komunës së Drenasit dhe derisa ka marr disa vërejtje nga i dëmtuari në lidhje me procesin mësimor, i drejtohet me fjalët “kush je ti me më dhanë vërejtje mu, se unë ty nuk të raportoj”.

Sipas aktakuzës, më pas kur i dëmtuari ka kërkuar që t`i lëshonte zyrën, i pandehuri i është drejtuar me fjalët “Unë ty ti thyej brinjët, kush m*** je ti me m’thanë mua me dal nga zyra”, dhe duke dal i drejtohet me fjalët “Veç mos dalësh nga këtu”, me ç `rast, sipas aktakuzës, tek i dëmtuari ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe ndjenjë  të pasigurisë, thuhet në aktakuzë. /BetimipërDrejtësi