Dënim me kusht ndaj të akuzuarve që pranuan se e kishin dëmtuar laurën në Rugovë

GJTH NENTOR
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Nëntor 18, 2019

 

Pejë – Me nga gjashtë muaj burgim me kusht dhe me nga 500 euro gjobë me kusht, janë dënuar të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, Brahim Beqiraj, Erion Lajqi, Arsim Muriqi dhe Argjend Lajqi.

Ky aktgjykimi është shpallur të hënën nga Gjykata Themelore në Pejë, përkatësisht nga gjykatësi Ahmet Rexhaj, pasi që të akuzuarit në seancën fillestare e kanë pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Rexhaj, dënimet e shqiptuara ndaj tyre, nuk do të ekzekutohen nëse ata nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale brenda dy vjetësh.

Gjithashtu, të akuzuarit janë obliguar që, secili veç e veç, të paguajnë paushallin gjyqësor në shumë prej 20 euro dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.

Kurse, pala e dëmtuar, SHPK “BD-Trade”, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, pasi në seancën fillestare, të akuzuarit janë deklaruar fajtorë dhe atë e ka mbështetur edhe prokuroja Ardiana Veseli e më pas e ka aprovuar gjykatësi Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur me 13 qershor 2019, Brahim Beqiraj, Erion Lajqi, Arsim Muriqi dhe Argjend Lajqi, akuzohen se më 5 prill 2019, në Rugovë, Komuna e Pejës, pikërisht në kilometrin e tretë, në bashkëkryerje e kanë asgjësuar dhe dëmtuar pasurinë e personit tjetër, përkatësisht të dëmtuarës  SHPK “BD-Trade”.

Në aktakuzë thuhet që të pandehurit pasi që ishin duke protestuar në vendin e lartcekur, kundër ndërtimit të laurës dhe pasi që aty e gjejnë materialin ndërtimor të kompanisë në fjalë, për ndërtimin e laurës, të njëjtën e kanë dëmtuar dhe asgjësuar, për çka të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm material në vlerë rreth 5000 euro. /BetimipërDrejtësi