Dënim me kusht ndaj të akuzuarit që pranoi se e kishte goditur këmbësorin me veturë

20190207_131943
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Shkurt 7, 2019

Malishevë – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me shtatë muaj burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “rrezikim i trafikut publik, Zenel Halilaj.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të enjten, pasi që i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi, Lulzim Paçarizi, dënimi me kusht ndaj të akuzuarit Halilaj, nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Ai është obliguar që të paguaj edhe shpenzimet gjyqësore në shumën e përgjithshme prej  91 euro.

Kurse, në seancën e shqyrtimit fillestar i akuzuari ka kërkuar nga gjykata që t’i shqiptohet një dënim sa më i butë, për arsye se sipas tij, këtë vepër e ka kryer nga pakujdesia, duke i premtuar gjykatës që në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm, që të mos bie ndesh me ligjin.

Ndërsa, prokurori i rastit, Bajram Kryeziu, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, më 27 prill 2017, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit, Zenel Halilaj, i cili akuzohet se më 3 shtator 2016, rreth orës 19:30, në rrugën regjionale Prishtinë-Malishevë, në fshatin Terpezë, derisa ka qenë duke e drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, e ku ka rrezikuar jetën e të dëmtuarit, Gazmend Thaqi.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me të arritur në fshatin Terpezë, Komuna e Malishevës, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe rrethanave të rrugës, në pamundësi  për tu ndalur, me pjesën ballore të krahut të majtë të automjetit e ka goditur këmbësorin Gazmend Thaqi, i cili ishte duke e kaluar rrugën nga ana e majtë në të djathtë, pasi zbret nga “Taxi”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, pas goditjes nga automjeti, këmbësori Gazmend Thaqi, sipas ekspertizës mjekoligjore pëson lëndime të rënda trupore.